Kryeziu: Të papunësuar por marrin paga – Kemi fakte!

kerkesa lista e pagaveDragash, 09 korrik 2015 – Kryetari i degës së LDK-së në Dragash, Selim Kryeziu, përmes një kërkese të protokolluar, i është drejtuar organeve komunale, për t’ia mundësuar qasjen në Listën e punëtorëve që marrin paga nga sektori publik.
Kryeziu thotë se këtë e ka bërë në pajtim me Ligjin për qasje në dokumentet publike, duke kërkuar që t’i mundësohet shikimi, si dhe t’i jepet kopja e listës së atyre që marrin paga në sektorin publik, në letër ose në formë elektronike. “Kishim dyshime por tani kemi edhe fakte se dikush që nuk është fare punëtorë në sektorin publik, merr pagë. Kjo, falë organeve komunale që po ua mundësojnë këtë gjë, për interesa që vetëm ata i dinë. Jam vetë punëtor i arsimit dhe kurrë nuk e nënshkruaj listën e pagave, edhe pse kjo është e paraparë me ligj. Domethënë, dikush po nënshkruan për mua, sikurse edhe për kolegët e mi. Kjo ndodhë edhe në sektorët tjerë publikë në Dragash, prandaj na ka lindur në fillim dyshimi, pasi nuk na lejohet fare qasja në këto lista. Së fundmi, kemi edhe fakte se dikush po merr paga pa punuar fare. Vetëm në Gjimnazin e Dragashit, kamë parë së paku tre emra që paguhen, pa qenë fare punëtorë në këtë institucion”, tha Kryeziu për Radio Sharrin.