Komuna investon në një rrugë – Dikush po ankohet!

Komuna investon në një rrugë – Dikush po ankohet!

Dragash, 24 qershor 2019 – Jaser Muharremi, nga fshati Zgatar, komuna e Dragashit, është ankuar në redaksinë tonë se zyrtarët e Komunës, gjegjësisht Kadastra, po ua uzurpon pronën private, për ta zgjeruar një rrugë në këtë fshat. Madje, ai thotë se kjo po ndodhë, si pasojë e korrupsionit që dikush mëton të përfitojë nga prona e tij.
“Në kadastrën e Dragashit ka një mosmarrëveshje mes një familje dhe punëtorit në Zyrën e kadastrës. Ta ndalojmë sa më parë ketë abuzim të detyrës nga ana e Komunës, saktësisht nga personat që duan të përfitojnë personalisht”, ka thënë për redaksinë tonë, Jaser Muharremi, duke apostrofuar, Sabahat Hasanin, zyrtar i lartë për Ndërtimtari pranë Drejtorisë Komunale të Urbanizmit dhe Kadastrës, në Dragash.
I kontaktuar nga redaksia jonë, Sabahat Hasani, thotë se nuk bëhet fjalë këtu për kurrfarë problemi, uzurpimi apo korrupsioni. “Gjithçka veprohet në pajtueshmëri të plotë midis pronarëve të tokave dhe zyrës sonë. Natyrisht se ne kemi marrë pëlqimin nga kjo familje, për ta zgjeruar rrugën, e cila do t’iu shërbejë edhe këtyre por edhe banorëve që e shfrytëzojnë atë”, tha Hasani, duke na i vënë në dispozicion transkriptet e bisedës që ka zhvilluar me vëllezërit e Jaserit. Por, ky i fundit nuk po pajtohet me këtë që thotë Hasani. Ai këmbëngul se këtu kemi të bëjmë me interesa të ngushta dhe ka kërkuar që zyrtarët ta kontaktojnë edhe njëherë familjen e tij dhe ta zgjidhin këtë, që ai e quan problem. “Nëse nuk më besoni, dilni në vendin e ngjarjes dhe bisedoni me të zotin e pronës, Selami Muharremin, nga i cili do ta kuptoni se ku qëndron problemi”, ka thënë Jaseri.
Sido që të jetë, zyrtari i lartë i Komunës që po e menaxhon këtë projekt, këmbëngul se nuk po bëhet kurrfarë hile këtu por është një projekt kapital, nga i cili përfitojnë shumë banorë të këtij fshati. “Nuk po ndërtojmë asgjë për interesin tonë por për interes të përgjithshëm. Po të mos e kishim pajtueshmërinë e pronarit të kësaj toke, nuk do të mund të investonim asnjë centë”, u shpreh i sigurt në atë që po bën, Sebahat Hasani.