Komuna e Dragashit nuk jep bursa – Jemi fukarenj, thotë Jenuzi!


dragashi-komua-kuvendiDragash, 18 korrik 2014 – Dragashi është ndër komunat e rralla në Kosovë, e cila nuk ndan bursa për studentët e saj. Për këtë fakt studentët ankohen, madje thonë që kjo është një padrejtësi që po iu bëhet atyre, ndonëse, siç thonw ata, nëpër fushata iu është premtuar që studentët e suksesshëm do të përfitojnë bursa.
Sipas kryetarit, Salim Jenuzi, kjo Komunë nuk ka shpërndarë asnjëherë bursa për studentët, për arsye të mungesës së mjeteve buxhetore. Ndërsa, i pyetur se a ka pasur ndonjëherë kërkesa nga studentët e kësaj komune, që ky kusht të plotësohet për ta sikurse ndodh me studentët e komunave tjera, ai tha se studentët i dinë mundësitë që i ka komuna e Dragashit dhe nuk ka pasur asnjëherë kërkesa për një gjë të tillë.
Edhe pse kryetari i komunës arsyetohet se nuk kanë buxhet për këtë destinim, studentët e thonë të kundërtën. Artan Kryeziu, student nga fshati Brezne, tha se është munduar që të përfitoj bursë nga Komuna, por kërkesat e tij nuk janë marrë parasysh. “Kam shkuar në Komunë të aplikoj për bursë, mirëpo as që janë marrë në shqyrtim kërkesat e mia, pasi Komuna e Dragashit nuk e ka të rregulluar me ligj dhënien e bursave. Madje asnjëherë nuk kanë kërkuar fonde për bursa nga Ministria e Arsimit edhe pse gjatë fushatave zgjedhore kanë premtuar bursa për studentët e suksesshëm. Mosdhënia e bursave nga Komuna e Dragashit, ndikon moralisht në procesin mësimor të një studenti të suksesshëm”, ka thënë Kryeziu për KosovaPress.
Edhe Ardita Krasniqi, e cila i vijon studimet në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë, i ka thënë agjencisë KosovaPress, se kjo që po iu bëhet studentëve të Komunës së Dragashit, nuk është aspak e drejtë, duke pasur parasysh të drejtat e secilit student. Madje, siç ka thënë ajo, Komuna duhet t’i drejtohet organeve kompetente për të kërkuar fonte për bursa. “Komuna duhet të merret me këtë çështje, duke i kushtuar më shumë rëndësi kërkesave dhe nevojave të studentëve. Nëse nuk ka buxhet të mjaftueshëm për t’i mbuluar kërkesat tona, duhet t’i drejtohet organeve më të larta për plotësimin e kësaj kërkese që po na preokupon ne studentëve nga kjo komunë”, është shprehur Krasniqi, duke shtuar se mendon që të paraqesë ankesë në Komunë. Sipas saj, sa më shumë studentë të bëjnë ankesa, aq më shumë kjo çështje do të merret parasysh.
Ndërkaq, Selvinaze Kolloni, studente nga fshati Kosavë, thotë se ndarja e bursave duhet të bëhet edhe në komunën e Dragashit, pasi që kjo është e vetmja komunë që studentëve nuk iu ndan bursa. “Kjo që po ndodh në komunën tonë, nuk është aspak e drejtë. Edhe ne dëshirojmë t’i kemi të drejtat tona, njëjtë sikurse studentët e komunave tjera. Mirë do të ishte që ky problem të zgjidhej sa më shpejtë sepse kështu po humbet motivi i studentëve për mësim”, thotë Kolloni.
Ndryshe, kryetari i komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen edhe Komuna e Dragashit të ndajë bursa, të paktën për studentët e suksesshëm.