Karvani i shkrimtarëve në Jeshkovë dhe Malësi të Vërrinit

karvani shkrimtaret opojaPrizren, 29 prill 2014 – Karvani i krijuesve letrarë nga rajoni i Prizrenit, ka qëndruar sot në fshatrat Jeshkovë dhe Malësi e Vërrinit, ku bashkë me nxënësit krijues organizuan orë letrare në shkollat e këtyre fshatrave dhe deklamuan punimet e tyre. Organizatorë të aktivitetit ishin Shoqata kulturore “Ymer Prizreni” dhe Redaksia e Revistës “Metafora”, me seli në Zvicër.
Bedri Halimi, udhëheqës i Shoqatës kulturore “Ymer Prizreni”, tha për Radio SHARRI-n se “ky takim kishte për qëllim ngritjen e ndjenjës dhe kultivimin e traditës krijuese tek nxënësit e këtyre fshatrave të thella të Prizrenit, si dhe ruajtjen e traditës së bashkëpunimit në këto anë të Kosovës”. Ndërkaq, botuesi i Revistës “Metafora”, Gëzim Ajgeraj, tha se “kjo nismë e këtij karvani, duhet të vazhdojë dhe të bëhet veprimtari tradicionale”. Edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, tha se “ky aktivitet dëshmon se poezitë janë prezantim i ndjenjave shpirtërore, të shprehura në vargje”.
Para nxënësve të shkollave “Nazim Buduri” në Jeshkovë dhe “Mic Sokoli” në Malësi të Vërrinit, krijimet e tyre letrare i deklamuan, Ilam Berisha, Gëzim Ajgeraj, Bedri Halimi, Berat Bahtiu, Abaz Çengaj, Ibrahim Skenderi, Ismet Lecaj, Mirsad Kuteli, si dhe një numër i madh i nxënësve nga këto shkolla.
Në këtë aktivitet, i cili kishte për qëllim shënimin e 15-vjetorit të të rënëve në Jeshkovë, me vepra të dhuruara nga krijuesit letrarë, u pasuruan bibliotekat e këtyre shkollave. Në fund të orëve letrare, u shfaq program me këngë e valle nga Grupi Folklorik “Vëllezërit Lecaj” dhe nga Grupi artistik i shkollës “Mic Sokoli” në Malësi të Vërrinit.

Leave a Reply