Goranët votuan për kryetarin e Serbisë – Gjithçka shkoi qetë!

Goranët votuan për kryetarin e Serbisë – Gjithçka shkoi qetë!

Dragash, 02 prill 2017 – Banorët e trevës së Gorës së Dragashit, sot kanë votuar për zgjedhjen e kryetarit të Serbisë. Saktësisht, sipas të dhënave që ia kanë konfirmuar redaksisë sonë burimet brenda këtij procesi, janë pak më shumë se njëmijë goranë që kanë marrë pjesë në votim, ndërkohë që këto burime kanë thënë se kryeministri aktual, Aleksandar Vuçiq, ka marrë besimin maksimal nga votuesit e Gorës. “Janë një mijë e gjashtë qytetarë goranë që kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar në këto zgjedhje. Pa diskutim, kryeministri Vuçiq ka korrë fitore edhe në këtë trevë, falë angazhimit të tij që ka treguar për ne”, i ka deklaruar radios sonë ky burim i besueshëm.
Ky proces ka shkuar, pikërisht ashtu siç kemi raportuar më herët, kur ende nuk ka pasur konfirmime zyrtare. Procesin e ka organizuar OSBE-ja, për sigurinë janë përkujdesur karabinierët italianë, ndërsa Policia e Kosovës ka qëndruar në qendër të fshatit Vraniç, aty ku edhe janë mbajtur zgjedhjet. Në hyrje të fshatit kanë qëndruar ushtarët gjermanë të KFOR-it, të shoqëruar edhe nga turqit, të cilët janë të stacionuar në Dragash. Vlen të theksohet se Aleksandar Vuçiq, tashmë e ka shpallur fitoren e tij dhe nuk do të ketë balotazh për zgjedhjen e kryetarit të Serbisë.

Leave a Reply