Goranët festuan Ditën e tyre kombëtare!

dita e goraneveDragash, 06 maj 2014 – Të drejtën kushtetuese, për të pasur një ditë kombëtare, goranët e shfrytëzuan sot, më bujshëm se kurdoherë më parë. Nën organizimin e Rrjetit të OJQ-ve nga Gora, të përkrahur nga Presidenca e Kosovës, ky komunitet ka filluar manifestimin, duke e stolisur Dragashin me flamuj shtetërorë, për të vazhduar me një akademi, e shoqëruar edhe me drekë për të gjithë mysafirët e ftuar, në mesin e të cilëve kishte zyrtarë të nivelit qendrorë që merren me komunitetet pakicë, si dhe përfaqësues të ambasadës amerikane në Prishtinë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Gjithashtu, të ftuar ishin edhe zyrtarët e Komunës së Dragashit, si dhe përfaqësues të partive politike. Në këtë akademi, mes tjerash u tha se kjo Ditë shënon zgjimin e natyrës, luleve dhe dashurisë, por assesi nuk ka të bëjë me politikën.
Pas kësaj, që të gjithë banorët e trevës së Gorës së Dragashit, dhe jo vetëm,  iu kthyen festës së tyre tradicionale të “Gjurgjevdanit”, ku në vendin e quajtur “Vllashko”, afër fshatit Vraniç, u tubuan mijëra qytetarë të kësaj treve, për të vallëzuar dhe për të shëtitur, si gjithherë që bëjnë më 6 maj.
Festa e 6 majit, është dita më e shënuar në Gorë, ku popullata e kësaj ane e kremton tradicionalisht. Pikërisht për këtë, edhe në kushtetutën e Kosovës është futur si “Ditë kombëtare e goranëve”, ndërkohë që shumëkush e quan si Gjurgjevdan, apo Vllashko.
Sido që ta quash, kjo festë mbledh goranët nga e gjithë bota në një vend. Festa zgjat tre ditë, në vende dhe lokacione të ndryshme të Gorës, por edhe me doke e zakone të ndryshme. Çiftet e reja bashkëshortore e shfrytëzojnë këtë ceremoni për tu shfaqur në publik, duke treguar se sa të dashuruar janë. Disa prej të rinjve, këtë ditë e shfrytëzojnë për njohje, madje edhe fejohen në këtë ditë.