Dikujt po i konvenon sulmi ndaj Radio Sharrit!

Dikujt po i konvenon sulmi ndaj Radio Sharrit!

Nga: Kasim QAFLESHI


• Përshendetje Dragash!

Kjo nuk është një provë zëri nga Radio SHARRI, por një alarm publik.
Duket se dikush është trembur nga një mikrofon. Mbase Ata që kanë alergji nga zëri i lirë!
Po, po, nga një mikrofon i vogël që s’ka as roje, as shofer, as zyrtar për marketing politik. Po ç’të bëjmë, ka mikrofon por ka edhe guxim. Ka valë por ka edhe forcë. Ka frekuencë por ka vetëmbrojtje dhe kjo, siç duket, për dikë është bërë problem!
Kryetari i komunës, i lodhur nga “punët e mëdha që po bën” dhe kritikët që s’e kuptojnë vizionin e tij, paska vendosur të luftojë një armik të brendshëm; radion që nuk e lavdëron çdo mëngjes në lajme dhe as nuk i drejtohet si “shpëtimtar i maleve të Sharrit”. Çfarë tronditje…! Si ka guxuar Radio SHARRI të mos i kushtojë kryetarit një lajm në valët e saj?!

Që nga paslufta, Radio SHARRI ka qenë aty. Herë me zë, herë me gjysmë zëri, herë me duar bosh por gjithmonë me zemër për Dragashin. Kur të tjerët iknin nëpër projekte me “shokë të partisë”, kjo radio mbeti në frekuencën e qytetarit. Por, askush nuk e pyeti se si e kaloi krizën. Nuk kishte “komision hetimor” për mospërkrahjen e kësaj radioje.
Askush nuk po pyet se si po mbijeton ky institucion i parë informues në këto troje, që flet shqip. Sepse, si media e vogël nuk bën shumë zhurmë, përveç kur e thotë të vërtetën. Atëherë disa i frikësohen, madje më shumë se sa opozitës! Dhe sot, në vend që ta ndihmojmë, e sulmojmë. A thua pse?! Sepse, e ka dëshmuar se nuk është me asnjërën palë por me qytetarin. Sepse, nuk pranon të shndërrohet në radio propaganduese. Sepse, ka vendosur të flasë, kur të tjerët vetëm tundin kokën! Por, kemi një lajm për ju… Mikrofoni i lirë nuk shkyçet me kërcënime, as me presione politike. Ai mund të ndërpritet për pak, por zëri i vërtetë gjithmonë e gjën mënyrën të dëgjohet, qoftë edhe me megafon.

Kryetarët dhe partitë politike vijnë e shkojnë, por vendi ynë do të mbetet këtu përgjithëmonë. E kuptuat apo jo?… PËRGJITHËMONË!
Lëreni sulmet dhe ndihmojeni këtë medium që të veproj i lirë, të punoj i lirë, e mbi të gjitha të frymoj shqip. Se, përndryshe, do të na mbetet vetëm të dëgjojmë zërin e pushtetarëve në frekuencat e tyre, në Facebook. Dhe, mos më besoni po deshët, por ky zë nuk do të jetë për veshin e popullit.

Gjergj Fishta kishte shkruar dikurë: “Sa herë nisim një punë të re, të parët që e prishim jemi ne”.

PS: Nuk e di a e lexove kryetar?!

(Autori është mërgimtar në Vjenë të Austrisë. Aktualisht merret me gazetari dhe art. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)