Bekim Sele, opojani që u zgjodh anëtar i Bordit të RTK-së

Bekim Sele, opojani që u zgjodh anëtar i Bordit të RTK-së

Prishtinë, 06 dhjetor 2021 – Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur sot tetë anëtarë të bordit të Radio Televizionit të Kosovës, ndër ta edhe opojani, Bkim Sele nga fshati Zym, komuna e Dragashit. Poashtu, ky organ ka dështuar të zgjedh anëtarët e këtij bordi nga radhët e komunitetit serb. “Konstatoj se Kuvendi i Republikës së Kosovës i zgjodhi tetë anëtarë të Bordit të RTK-së, në këtë përbërje: Fatime Lumi-Qehaja anëtare, Arta Berisha anëtare, Albulena Mehmeti anëtare, Shukrie Rama anëtare, Driton Hetemi anëtar, Besnik Boletini anëtar, Safet Kabashaj anëtar dhe Bekim Sele anëtar i Bordit të RTK-së. Kurse nga radhët e komunitetit serb nuk kemi asnjë të zgjedhur sepse kanë marrë më pak vota të nevojshme se që e kërkon procedura për t’i zgjedhur anëtarët e bordit të RTK-së. Prandaj, për këtë pozitë kërkohet rishpallja e konkursit”, tha Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, deputetja e LV-së, Arjeta Fejza, në emër të komisionit votues, ka dhënë më shumë detaje. “Në votimin për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së kanë marrë pjesë 87 deputetë dhe rezultatet janë këto: Driton Hetemi 75 vota, Besnik Boletini 62 vota, Ejup Gojnovci 27 vota, Safet Kabashaj 52 vota, Bekim Sele 55 vota, Petrit Çollaku 14 vota, Enis Halimi 17 vota dhe Gazmend Vitaku 16 vota. Në këtë votim kanë qenë dy fletëvotime të pavlefshme. Kurse, për katër pozitat për anëtarë të Bordit të RTK-së nga radhët e gjinisë femërore, kanë marrë pjesë 87 deputetë, të pavlefshme janë katër fletëvotime, kurse rezultatet janë këto: Fatime Lumi Qehaja 66 vota, Arta Berisha 67 vota, Albulena Mehmeti 67 vota, Jehona Ademaj-Sejdiu 11 vota, Shukrie Rama 61 vota, Mejreme Krasniqi – Sadiku 12 vota, Mihane Nartilë Salihu-Bala 5 vota, Teuta Hoxha – Morina 12 vota. Në radhën e pozitës së një anëtari të bordit të RTK-së nga komuniteti serb kanë marrë pjesë po ashtu 87 deputetë, të pavlefshme kanë qenë 67 fletëvotime, Mihailo Shqepanoviq mori 14 vota kurse Nelica Velkoviq 16 vota”, tha ajo.