C-19: Në Dragash regjistrohet viktima e katërt – Banorët kërkojnë testime!

C-19: Në Dragash regjistrohet viktima e katërt – Banorët kërkojnë testime!

Dragash, 25 korrik 2020 – Vetëm dy ditë më parë u publikua zyrtarisht se është pozitiv me Covid-19, sot ka ndërruar jetë sekretari i SHFMU “Ulina” në Kosavë, Bislim Kuteli. Njoftimi është dhënë nga Drejtoria komunale e Arsimit në Dragash, duke shprehur dhembje për humbjen e zyrtarit të tyre, si dhe ngushëllime për familjarët, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën të ndjerin.
Zyrtarisht, rasti i sotëm shënon vdekjen e katërt në komunën e Dragashit nga ky virus, por banorët e kësaj ane shprehin shqetësime dhe dyshime se mund të ketë shumë më shumë të infektuar por që mungojnë testimet. “Kemi edhe viktima të tjera, si dhe shumë të infektuar, por që nuk po bëhen publike”, thotë për redaksinë tonë një banor, i cili këmbëngul se ka të drejtë në atë që thotë.
Nga ana tjetër, në mbledhjen e djeshme të Këshillit Emergjent në Dragash, u kërkua që të mos mbahen të fshehura rastet e mundshme pozitive, në mënyrë që të mbrohen sa më mirë ata që nuk janë të infektuar. Duke llogaritur viktimën e sotme, zyrtarisht në komunën e Dragashit rezulton se janë 4 raste që kanë përfunduar me fatalitet dhe 4 rate të tjera aktive, nga 28 sa janë regjistruar gjithsej.