Në Dragash konfiskohet sasi e konsiderueshme narkotike!

Në Dragash konfiskohet sasi e konsiderueshme narkotike!

Dragash, 01 tetor 2018 – Rreth orës 9:30, në afërsi të fshatit Plavë, komuna e Dragashit, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të substancës narkotike, që dyshohet të jetë marihuanë. Me këtë rast është arrestuar një person, i cili po mbahet në polici, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm, për të cilët policia e Dragashit po dyshon se janë të ndërlidhur me këtë rast. “Në një pikë kontrolli në fshatin Plavë, për shkak të tejkalimit të shpejtësisë është ndaluar një automjet i llojit ‘Audi’, ku gjatë shqiptimit të gjobës njëri nga policët e kishte vërejtur një qese plastike e cila i është dukur e dyshimtë. Gjatë kontrollit është vërtetuar se në të ishin fshehur 4 kilogramë e 694 gramë drogë, që dyshohet të jetë e llojit marihuanë. Me hetimin e mëtejmë të rastit po merret Njësiti Kundër Trafikimit me Narkotikë. Deri me tani është arrestuar një i dyshuar, ndërsa tre të tjerë ndodhen në arrati. Droga është sekuestruar, së bashku me automjetin, katër telefona celularë dhe një sasi e parave kesh. Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që provat materiale dhe shkresat e lëndës t’i kalojnë prokurorisë për procedura të mëtejme”, thuhet në njoftimin e policisë.