Ende nuk dihen motivet e vrasjes – Pranga dy personave!

arrestimi prangat pejePrishtinë, 09 janar 2014 – Nëpërmjet një komunikate të lëshuar sot, policia njoftoi se, për vrasjen e djeshme të 14 vjeçarit (F.K.), në oborrin e shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, ka arrestuar dy persona, njëri prej të cilëve i mitur. Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, nuk ka dashur të flasë për motivet e kësaj vrasjeje, ndërsa familja Sekiraça-Maliqi mohoi të jetë e përzier në këtë vrasje, pasi disa media shkruan se vrasja mund të jetë bërë për hakmarrje.
Sipas policisë, të arrestuar janë një 17 vjeçar me inicialet L.S. dhe 24 vjeçari A.S. I pari dyshohet për kryerjen e vrasjes dhe plagosjes, ndërsa i dyti për bashkëveprim në vrasjen e F.K. dhe plagosjen e Ç. B.
Familjes Maliqi-Sekiraça, nga fshati Mazgit i Obiliqit, dikush nga familja e fëmijës së vrarë, ua kishte vrarë djalin, në nëntorin e vitit të kaluar. Megjithatë, kjo familje mohon të jetë e ndërlidhur me vrasjen e djeshme. “Është shumë e vërtetë që pjesëtarë të familjes së të ndjerit e vranë në oborr të shtëpisë djalin tonë, Amirin, plagosën rëndë babanë e tij, Salihun, dhe djalin e axhës, Mehmet Maliqin.
Por, ata u vetëdorëzuan në polici dhe tani janë në paraburgim”, thuhet në reagimin e kësaj familjeje, duke shtuar se janë ndjerë të prekur nga ky aludim medial. Thonë se, edhe sikur të ndiqnin Kanunin e Lekë Dukagjinit, nuk do ta vrisnin një fëmijë.