Dragash, 09 korrik 2026 – Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka pritur në takim përfaqësuesit e “Count On Crops LLC dhe presidentin e Dhomës së Tregtisë Kosovë – Malajzi, ku edhe ka nënshkruar një memorandum të rendësishëm, përmes të cilit do të mbështeten edhe më shumë fermerët e Dragashit.
Marrëveshja parasheh promovimin e kultivimit në sera, krijimin e fermave demonstrative, organizimin e trajnimeve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas Xheladinit, kjo marrëveshje strategjike bashkëpunimi, nuk krijon obligime financiare për Komunën, ndërsa çdo projekt konkret investues do të realizohet përmes marrëveshjeve të veçanta, në përputhje me legjislacionin në fuqi. “Patëm kënaqësinë të mirëpresim përfaqësuesin e kompanisë (Count On Crops LLC), z. Fazal Muqeem, së bashku me presidentin e Dhomës së Tregtisë Kosovë – Malajzi (KMCC), z. Përparim Kryeziu, me ç’rast shënuam një hap të rëndësishëm për të ardhmen e bujqësisë dhe zhvillimit ekonomik të Komunës së Dragashit, ku edhe nënshkruam Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik me Count On Crops LLC, marrëveshje kjo e cila krijon bazën për një bashkëpunim afatgjatë në zhvillimin e bujqësisë moderne, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të serrave, fuqizimit të fermerëve, ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe krijimit të mundësive të reja për investime dhe qasje në tregjet vendore e ndërkombëtare”, është shprehur Xheladini, duke shtuar se qëllimi është që Dragashi të bëhet shembull i zhvillimit të qëndrueshëm rural, përmes mbështetjes së fermerëve me njohuri, inovacion dhe mundësi të reja për rritjen e prodhimit dhe të të ardhurave.
Duke i falënderuar mysafirët, Xheladini është zotuar se do të mbetet i përkushtuar që çdo partneritet ta shndërrojë në mundësi konkrete për fermerët, të rinjtë dhe familjet, me qëllim ngritjen e nivelit ekonomik rural.
Komuna e Dragashit nënshkruan memorandum me një kompani malajzeze!
POSTIMI I RADHËSPolicia e Dragashit konfiskon kamionin me dru!

