Prishtinë, 11 tetor 2025 – Kryetarja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar sot Dekretin, me të cilin mandaton kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti. Vendimi vjen pas propozimit zyrtar të subjektit “Lëvizja Vetëvendosje”, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend.
“Sot, në përputhje me kompetencat kushtetuese, kam mandatuar Kryeministrin në detyrë, z. Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Uroj që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues, ku do të merren vendime për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë”, thuhet në njoftimin e kryetares Osmani.
Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë është i obliguar që, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë, nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.