Dragash: LDK-ja po feston, PDK-ja ankohet për parregullësi!

Dragash: LDK-ja po feston, PDK-ja ankohet për parregullësi!

Dragash, 16 nëntor 2021 – Pas numërimit të votave të ardhura me postë nga mërgata, në Dragash ka filluar festë e madhe, organizuar nga simpatizantët e LDK-së, të cilët thonë se kandidati i këtij subjekti për kryetar komune, Bexhet Xheladini, është fitues i këtyre zgjedhjeve, me që rezultati i votave nga mërgata e ka përmbysur rezultatin paraprak, ku kandidati i PDK-së, kryetari aktual Shaban Shabani, ishte në epërsi për vetëm 47 vota.
Sipas kumtimit të rezultateve nga ana e LDK-së, mërgimtarët i kanë dhënë këtij subjekti 244 vota, ndërsa PDK-së vetëm 54, që në total e nxjerr fitues Bexhet Xheladinin. Por, reagimi nga PDK-ja ka qenë i menjëhershëm, ku thuhet se këto vota nga mërgata nuk mund të merren parasysh, pasi, sipas tyre, shumica prej këtyre votave janë hedhur nëpër postat e Gjermanisë dhe Austrisë nga e njëjta dorë.
Gjithsesi mbetet për t’u parë se si do të veprojë KQZ-ja, e që ne do të ju mbajmë të informuar për çdo gjë rreth kësaj situate.