Dragash, 27 qershor 2024 – Ndonëse nuk pati pasoja në njerëz, dëmet e shkaktuara nga vërshimet e së mërkurës në komunën e Dragashit, në disa fshatra të Opojës, po konsiderohen të larta. Pas reshjeve të mëdha të shiut dhe breshrit, si pasojë e bllokimit të urave dhe daljes së lumenjve nga shtrati, janë shkaktuar vërshime të mëdha brenda vendbanimeve, duke dëmtuar rrugë, shtëpi, ura, shtylla elektrike, biznese, kultura bujqësore, objekte blegtorale dhe dëme të tjera në rrjetin e kanalizimit dhe ujësjellësit, si dhe në mjete motorike, pajisje të ndryshme teknike etj.
Bazuar në informacionet që kemi siguruar nga krerët e Komunës, të cilët kanë dalë në terren, më të dëmtuara janë fshatrat Kuk, Bresanë, Kosavë, Pllajnik, Zaplluxhe, Blaç dhe Kuklibeg.
Kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini, drejtori i Shërbimeve Publike, si dhe stafi i Emergjencave, kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, duke i njoftuar dhe kërkuar ndihmë nga qeveria qendrore. “Përveç mjeteve motorike si traktorë, kamionë dhe mjeteve të shërbimeve të Njësisë së Zjarrfikësve, kemi kontaktuar edhe biznese private nga komuna jonë, nga të cilët kemi kërkuar që të angazhohen me eskavatorët e tyre në fshatrat ku ka nevojë. Në këto momente kërkohet solidariteti dhe bashkëpunimi i të gjithë banorëve, në mënyrë që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht. Apelojmë tek të gjithë njerëzit dhe bizneset, të cilët posedojnë mjete, që ti’u dalin në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë për t’i sanuar dëmet e shkaktuara nga vërshimet. Edhe pse dëmet janë shumë të mëdha, falë Zotit, deri më tani nuk kemi asnjë viktimë në njerëz apo ndonjë person të lënduar”, ka thënë kreu i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i cili sot ka thirrur mbledhje urgjente të Qeverisë Komunale ku, sipas dispozitave ligjore për menaxhimin e fatkeqësive natyrore, konform situatës në terren, ashtu edhe do të veprojë.
Vërshimet në Dragash lanë pas shumë dëme!
POSTIMI PARAPRAKZhduken dy fëmijë nga fshati Nashec!
POSTIMI I RADHËSShqipëria mposhtet nga Italia në EURO 2024