Udha për Dragash, një tmerr i vërtetë!

Udha për Dragash, një tmerr i vërtetë!

Dragash, 04 maj 2022 – Udha magjistrale, Zhur – Dragash, veçmas pjesa nga fshati Brezne, është shndërruar në sfidë për ata që qarkullojnë atypari. Sidomos për përdoruesit e përditshëm.
E planifikuar si një udhë moderne, me tre korsi kalimi, tashmë ka mbetur në mëshirën e natyrës. Madje, ka kohë që një kompani i ka prerë pjesët që do të arnoheshin por ende nuk duket se do të mbarojnë këto arnime. “Dreqi i shtyri ta masakrojnë kaq keq dhe ta lënë kështu të shkretë. Kot i bëra servis automjetit, kur vetëm gjatë kësaj jave më është dëmtuar më shumë se ç’ishte. Paguajmë si krejt Kosova taksë për udhët regjionale ndërkohë që kaluan dy dekada dhe, ende nuk u bë kjo udhë, ashtu siç u nis para dy vjetësh, kinse për t’u bërë një udhë moderne”, thotë i revoltuar një banor i kësaj ane, i cili ka disa automjete të punës, të cilat e “rrahin” këtë udhë disa herë në ditë.
Kompania “Renelual TAHIRI” i ka kryer punimet më të vështira, duke i shqyer kodrat për ta zgjeruar këtë arterie, nga fshati Zhur e deri në Trokan, madje edhe e ka asfaltuar. Por, ka mbetur pjesa tjetër deri në Dragash dhe ende nuk ka shpresë se do të vazhdohen punimet. Shkak për këtë ndërprerje, sipas asaj që thonë nga kjo kompani, është mungesa e mjeteve financiare të cilat, sipas tyre, nuk po i paguan qeveria. “Ne jemi gati. Sapo të bëhet pagesa sipas kontratës që kemi, ne vazhdojmë me punimet dhe për pak kohë edhe e përfundojmë ndërtimin e kësaj udhe”, tha për redaksinë tonë një përfaqësues i kësaj kompanie.
Në fakt, duket se nuk do të ketë punime edhe sivjet, me që një kompani tjetër, për të cilën redaksia jonë ka mësuar se quhet “ABC”, ka filluar para një jave prerjen e pjesëve ku ka gropa, me gjasë për ta arnuar. Por, kjo i ka revoltuar banorët e kësaj komune të varfër sepse edhe arnimi ende nuk po bëhet. Për pasojë, për çdo ditë ndodhin aksidente dhe dëmtime të automjeteve, por që askush nuk po e vret mendjen për këtë.