Shoqata e Afaristëve “Sharri” zgjedh kryesinë e re!

Shoqata e Afaristëve “Sharri” zgjedh kryesinë e re!

Dragash, 30 tetor 2025 – Në mbledhjen e rregullt të anëtarëve të kryesisë, Shoqata e Afaristëve “Sharri” në Dragash, mes pikave të tjera të rendit të ditës, zgjodhi edhe kryesinë e re me mandat katërvjeçar, e cila do t’i prij kësaj shoqate gjatë aktiviteteve në të ardhmen.
Me vetëm një votë kundër, në postin e kryetarit u zgjodh pronari i kompanisë “AEG”, Shpëtim Kamberi ndërsa për zëvendëskryetar u zgjodh përfaqësuesi nga kompania “HIT Flores”, Eroll Bajrami.
Në fjalën e tij, si kryetar i gjertanishëm, pronari i kompanisë “MEKA”, Burim Piraj, falënderoi të gjithë anëtarët e Shoqatës për bashkëpunimin, siç tha, të shkëlqyer gjatë mandatit të tij, duke theksuar se uniteti, përkushtimi dhe vizioni i përbashkët ishin dhe duhet të jenë avancimi i interesave të biznesit në komunën e Dragashit. “Një nga arritjet më të mëdha gjatë mandatit tim ishte organizimi tejet i suksesshëm i panairit ‘Expo SHARRI’, ngjarje kjo që po vlerësohet si ndërmarrje e suksesshme, ku po bëhen bashkë bizneset, prodhuesit vendorë, artizanët, si dhe vizitorë të shumtë nga rajoni dhe jo vetëm. Aty po promovohet potenciali ekonomik i komunës sonë në nivele më të larta”, tha mes tjerash Piraj, duke e uruar kryesinë e re për detyrën dhe përgjegjësinë që morën. Piraj u zotua se do të ofrojë edhe në të ardhmen mbështetje të plotë për shoqatën, me shpresë se kjo shoqatë do të vazhdojë të jetë promotor në zhvillimin ekonomik të kësaj treve.
Kujtojmë se Shoqata e Afaristëve “SHARRI” ka një rol të rëndësishëm në mbështetjen e zhvillimit ekonomik lokal, duke krijuar ura bashkëpunimi mes bizneseve të komunës së Dragashit dhe duke promovuar iniciativat që fuqizojnë sektorin privat. Kjo, falë bashkëpunimit të mirë edhe me Komunën e Dragashit, veçmas përkrahjes nga kryetari, Bexhet Xheladini, si dhe drejtori i Ekonomisë, Qamil Kolloni, të cilët janë zotuar se shoqata do të gëzojë mbështetje pa rezervë nga Komuna, në mënyrë që të përmirësohet klima e të bërit biznes në Dragash.