Në Restelicë u organizua koncert, me këngë gorane dhe shqiptare


koncerti restelice goranetDragash, 03 nëntor 2014 – Në fshatin më të madh të Gorës dhe në gjithë komunën e Dragashit, në Restelicë, të dielën u organizua një koncert i bujshëm, me moton: “Ruajtja e trashëgimisë kulturore në Opojë dhe Gorë”.
Në këtë manifestim kulturor, të cilin e organizoi Shoqata Kulturore “Ymer Prizreni”, para publikut restelicas u paraqitën këngëtarët e njohur, Vëllezërit Nail, Hasan e Murat Mushka, të cilët kënduan këngë tradicionale nga treva e Gorës, ku kryesisht dominuan këngët e kurbetit. Në koncert nuk munguan as këngëtarët e njohur nga Opoja, Vëllezërit Rijad e Mirhat Lecaj, Masar Sinani dhe Nexhat Qusaj, të cilët para artdashësve restelicas kënduan kryesisht këngë tradicionale nga treva e Opojës.
Në një ditë të bukur me diell, pas disa ditëve të acarta, rrezet e ngrohta të diellit po i shijonin me kënaqësi të gjithë të pranishmit në koncertin e organizuar në sheshin e këtij fshati, duke mos munguar edhe vallëzimi autokton. koncerti restelice shqiptaretKryetari i Shoqatës Kulturore “Ymer Prizreni”, Bedri Halimi, në fillim të shfaqjes tha se banorët e këtyre trevave që kanë jetuar me shekuj në hapësirat e përbashkëta të këtij nënqielli, kanë bashkëpunuar edhe në sfera të tjera të jetës. “Radha është që ky bashkëpunim të vazhdojë së kultivuari edhe në sferën e kulturës”, tha Halimi.
Befasi e këndshme në këtë koncert ishte paraqitja e dy fëmijëve (nxënës) nga Restelica, të cilët interpretuan këngën: “Shqipërinë e dua, se jam shqiptar – Kosovën e dua, se jam kosovar”. Që të gjithë komentuan, duke thënë se këta fëmijë, me talentin e tyre, duket se premtojnë shumë në të ardhmen. Koncerti që u mbajt në fshatin më të madh të Gorës, në Restelicë, sipas kryetari të kësaj shoqate, Bedri Halimi, do të vazhdojë edhe në fshatin më të madh të Opojës, në Bresanë, por që ende nuk është caktuar data. Për këtë, Halimi ka premtuar se qytetarët do të njoftohen me kohë.