Adem Hoxha nuk rresht së kërkuari Komunën e Gorës!


adem-hoxha-gora-400x318Dragash, 01 nëntor 2014 – Ndonëse është i pari i organeve të përkohshme të “Komunës së Gorës”, e cila vepron nën juridiksionin e Serbisë, Adem Hoxha nuk rresht së kërkuari themelimin e Komunës së Gorës, në kuadër të institucioneve të Kosovës. Thotë se këtë e kishte si premtim kryesor edhe në zgjedhjet e fundit lokale të Kosovës. “Ky ishte zotimi jonë para elektoratit të Gorës, ku edhe fituam bindshëm. Por, rrethanat ndryshuan dhe ne tashmë nuk jemi CDU, e cila ishte parti boshnjake. Ne tashmë jemi parti gorane. Si të tillë, tashmë ne përfaqësojmë goranët në Kuvendin e Kosovës”, thotë Hoxha, i cili tashmë është deputet në Kuvendin e Kosovës, në vendin e rezervuar për komunitetin goran. Kjo, pasi themeloi Partinë e Bashkuar Gorane (JGP), duke e mundur kështu GIG-un e Mursel Halilit.
Në zyrat e improvizuara, në një shtëpi private në fshatin Vraniç, Hoxha thotë se Komuna e Gorës ka shumë punë, madje jo vetëm me goranët por edhe me shqiptarët. “Edhe shqiptarët vijnë këtu dhe kërkojnë lloj-lloj shërbimesh”, thotë Hoxha për Radio SHARRI-n, duke treguar një dokument të një shqiptari, i cili po kërkonte rregullimin e dokumentacionit, për ta gëzuar pensionin nga Serbia.
Hoxha thotë se do të vazhdoj ta ushtrojë detyrën e kryetarit të “Organeve të Përkohshme të Komunës së Gorës”, derisa, sipas tij, nuk do të ndryshojë gjë me negociatat që pritët të vazhdojnë në Bruksel, mes Prishtinës dhe Beogradit. “Ne jemi të vegjël për të bërë politika të mëdha. Ne angazhohimi vetëm për mirëqenien e komunitetit tonë dhe, çfarëdo që të na urdhërojnë nga Beogradi, ne do ta zbatojmë, sepse ata na paguajnë”, thotë Hoxha.
Jedinstvena Goranska Partia (Partia e Bashkuar Gorane), të dielën mban Kuvendin zgjedhor, nga i cili pritet të zgjidhen liderët e kësaj partie lokale në Gorë. Hoxha nuk iu frikësohet këtyre zgjedhjeve, pasi ka fituar besimin e komunitetit dhe, siç thotë, askush nuk mund ta bëj më mirë se ai këtë punë. Besimin e tij e bazon në faktin se gjysma e votuesve nga Gora ia kanë dhënë besimin në zgjedhjet lokale, ku në Kuvendin e Dragashit, nga 8 këshilltarë që vijnë nga kjo trevë, 4 prej tyre janë të partisë së tij, ndërsa ai u zgjodh me automatizën si zv-kryesues i Kuvendit të Dragashit.
Sa i përket faktit që në Kuvendin e Kosovës janë në Grup parlamentar me Listën Serbe, Hoxha thotë se këtë lidhje me serbët e trashëgonë nga paraardhësi i tij, Mursel Halili, por që ai këtë e konsideron si veprim normal, pasi për gjithçka janë të varur dhe të lidhur me Serbinë. “Përderisa ne paguhemi nga Serbia dhe veprojmë sipas ligjeve të saj, e kuptueshme është që duhet të ishim në Grup parlamentar me serbët. Kjo do të vazhdojë kështu, përderisa nuk do të ndryshojë situata me negociatat që po zhvillohen në Bruksel”, përfundon Hoxha bisedën me Radio SHARRI-n, duke shtuar se në aspektin e sigurisë mbetet i kënaqur, pasi nuk është shënuar kohët e fundit asnjë incident ndërnacional.