As sot nuk përfundoi gjykimi ndaj deputetit Adem Hoxha!

As sot nuk përfundoi gjykimi ndaj deputetit Adem Hoxha!

Dragash, 10 shtator 2020 – Në seancën e mbajtur të enjën në degën e Gjykatës Themelore të Prizrenit, në Dragash, kur pritej se gjithçka do të përfundonte në procesin ndaj deputetit, Adem Hoxha, vëllezërit Berzati, si palë e dëmtuar në këtë rast, kanë befasuar kur ia prezantojnë gjykatës një CD, si provë të re, në të cilën thanë se është regjistruar një bisedë që është zhvilluar në mbledhjen e partisë, në ditën, vendin dhe kohën kur kishte ndodhur ngjarja, për të cilën po akuzohet deputeti Hoxha. “Incizimin e ka bërë vëllai me telefon, pasi atë ditë kemi qenë të përgatitur se diçka mund të na ndodhte. CD-ja në fjalë duhet të administrohet si provë, me qëllim të vërtetimit të plotë të gjendjes faktike”, ka thënë Bezat Berzati. Por, një propozim të tillë e ka kundërshtuar mbrojtësi i të pandehurit Hoxha, avokati Hajrip Krasniqi, i cili ka thënë se sigurimi i kësaj prove është bërë në mënyrë të kundërligjshme. “Kjo provë është e pabazuar. E njëjta është në kundërshtim edhe me statutin dhe rregulloret e partisë, si dhe me faktin se të dëmtuarit me këto zvarritje po tentojnë ta mbajnë peng të mbrojturin tim. Kjo provë është siguruar në kundërshtim edhe me ligjinin. Prandaj nuk është dorëzuar as në polici e as në prokurori, e si të tillë nuk pranojmë të administrohet në këtë proces”, ka thënë avokati Krasniqi. Më pas, edhe i pandehuri Hoxha deklaroi se për veprimet si kjo dhe shumë të tjera që këta vëllezër i kanë bërë, ka parashtruar kallëzim penal, ku nesër është thirrë për deklaratë në Prokurorinë Themelore në Prizren. Megjithatë, prokurori Fatos Ajvazi, e ka mbështetur propozimin e të dëmtuarve, për leximin e audio CD-së. Propozimin e të dëmtuarit Berzati e ka aprovuar edhe gjykatësi, Luan Berisha, i cili ndërpret seancën e sotme, duke e caktuar për 23 tetor 2020, në Prizren, në sallën ku ndodhen pajisjet teknike për dëgjimin e provave të tilla zanore.
Ndryshe, në seancën e sotme është lexuar dëshmia që kishte dhënë në polici dëshmitari, Enes Sherifi, për të cilin gjykata kishte lëshuar urdhërarrest për sjellje me forcë në këtë proces, por që nga stacioni policor në Dragash janë njoftuar se i njëjti gjendet në Austri.
Sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt 2018 nga Prokuroria Themelore në Prizren, Adem Hoxha akuzohet se më 26 nëntor 2017, në selinë e Partisë Unike Gorane (JPG), në Dragash, me dashje ka përdorë dhunë ndaj personit tjetër. Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur, derisa të dëmtuarit Berzat dhe Fatir Berzati, kishin shkuar në selinë e partisë, ku gjatë bisedës i pandehuri Adem Hoxha është ngritur nga ulësja dhe i është drejtuar tashmë të dëmtuarit, Berzat Berzati me fjalët: “Dil jashtë sepse nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejt të qëndrosh aty”. Sipas aktakuzës, i dëmtuari Berzati duke dalë jashtë, goditet me shqelm nga i pandehuri dhe më pas goditet edhe me grushte dhe shuplaka.