Shkolla “Fetah Sylejmani” shënoi ditën më të rëndësishme të saj

Shkolla “Fetah Sylejmani” shënoi ditën më të rëndësishme të saj

Dragash, 26 prill 2019 – Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët (SHFMU) “Fetah Sylejmani” në Dragash, sot kishte festë të madhe. Nxënësit dhe mësimdhënësit festuan Ditën e shkollës, ku fillimisht e filluan me homazhe pranë varrit të dëshmorit, emrin e të cilit e mban kjo shkollë. Në fakt, manifestimi kishte filluar qysh dje, me aktivitete të ndryshme, si orë letrare kushtuar kësaj dite, panairi i robotikës, ku nxënësit ekspozuan punimet e tyre shkencore, për të përfunduar me aktivitete sportive. Aktivitetet vazhduan edhe sot, me shfaqjen kulturo-artistike, në të cilën morën pjesë edhe mysafirët nga shkolla e binjakëzuar kohë më parë “Qazim Shehu” nga fshati Shtiqen i Kukësit, si dhe zyrtarë të Komunës së Dragashit.
Para një numri të madh të pranishmëve, drejtori i shkollës, Flurim Çengaj, shpalosi historikun e shkollës, për të ndarë në fund mirënjohje për mysafirët nga Shqipëria dhe nxënësit më meritorë nga fushat e ndryshme, ku edhe garuan. Gjithçka u përmbyll me një program kulturo-artistik, përgaditur nga vetë mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle, enkas për këtë dit, por edhe nga nxënësit mysafirë nga Shqipëria.