Rruga e “merimangës së leshit” – ISIS – it!

bedri-halimi-futbollShkruan: Bedri HALIMI


• Çështja e organizatës ISIS në bazë të veprimeve praktike që ndodhin në kohën e sotme është tregues i qartë se ky emër fantazmë paraqet njërën ndër format më të sofistikuara të krimit të organizuar botëror nën maskën e fesë islame. Pa dashur që të hyj më thellë rreth platformës së saj (sepse kjo gjë tashmë është e njohur), është e nevojshme që të theksohet se në këtë organizim, apo kjo “murtajë e vdekjes” në emër të njëfarë misioni të shenjtë që i ka vënë vetes, ka përfshirë edhe shqiptarët. Apo më qartë ka depërtuar edhe te disa shqiptarë.

Shqiptarët dhe Merimanga e leshit – ISIS-i

Duke u bazuar në nivelin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, përkatësisht shkallën e gjendjes socio – ekonomike të banorëve të Kosovës në njërën anë si dhe nivelin e vetëdijes së ulët dhe shkallës së inteligjencës së kufizuar të individëve të caktuar – kryesisht te të rinjve, mundësitë për t’i manipuluar shqiptarët janë në rritje.
E para, për shkak të nevojës për të mbijetuar ekonomikisht, të cilët nga pa perspektiva e mundësisë së punësimit, këtë formë të veprimit e shohin si mundësi shpëtimi përkatësisht mbijetese. Kur kësaj t’i shtohet edhe fjalori i sofistikuar për joshje ekonomike dhe shifra ekscituese të parave të premtuara për pagë mujore, kjo bëhet më lehtë e realizueshme. Prandaj edhe deri më tani mbi 100 veta nga Kosova kanë marrë rrugën drejtë humnerës në emër të një parajse të premtuar.
Ana tjetër e joshjes, është siç thamë niveli tepër i ulët i vetëdijes fetare, kulturore, e madje edhe kombëtare të disa të rinjve shqiptarë. Në rrethanat e një shoqërie ku shteti është në fazat e para të funksionimit real të institucioneve; në rrethanat kur vlerat dhe pseudovlerat përzihen; në rrethanat kur raporti mes ofertës dhe kërkesës është në disproporcion të madh, përkatësisht në rrethanat kur dëshira e njeriut për t’u dukur, për t’u pasuruar, për t’u respektuar, për t’u bërë i njohur në shoqëri është në kundërshtim të madh me mundësitë reale, kjo kategori njerëzish nuk zgjedhin mjet për ta realizuar qëllimin. Në fakt këta nuk kanë as qëllim përmbajtjesor. Këta kanë qëllim formal. Këta njerëz, të cilëve iu mungon kultura elementare fetare – islame, duan të tregohen se janë dikushi, prandaj për ta mbuluar këtë zbrazësi intelektuale, ata kanë zgjedhur rrugën e pasurimit të shpejtë, rrugën për tu bërë të famshëm dhe për tu bërë dikushi, me vlerë, pa mund, pa lexuar, pa kryer shkollë, pa e lodhur mendjen për ta pyetur së paku vetën se për ku janë nisur dhe ku duan të shkojnë. Te kjo kategori njerëzish është krijuar një vakum i madh shpirtëror dhe, si të tillë, kanë kaluar jashtë realitetit në kohë dhe në hapësirë. Te këta njerëz, në pyetje është ekskluziviteti, absolutizmi. Te këta njerëz mungon arsyeja, mungon ndjenja racionale, mungon toleranca, mungon madje edhe logjika e shëndoshë. Këta janë partizanë të  logjikës formale të cilët mendojnë si ariu: “dardhat duhet të bëhen sivjet sepse më hahen mua”. Dhe kur s’ka dardha, këta i fajësojnë të gjithë. Edhe të afërmit madje, edhe shokët e dikurshëm. Kjo logjikë është në gjendje ta bëjë të afërt edhe njeriun që nuk i përket etnisë së tij, por që i përket mendësisë së tij, me të cilin ju puqen ëndrrat, dëshirat dhe qëllimet.

Mashtrimet e merimangës së leshit – ISIS-it, si forma të manipulimit

Nuk kemi njohuri rreth strukturës së organizimit formal të kësaj sindrome kriminale, por duke pasur parasysh qëllimet, mund të konkludojmë, se shkalla e organizimeve të kësaj strukture të bishave të zeza, afërsisht është treshkallëshe, ku në shkallën e parë bëjnë pjesë ideologët, në shkallën e dytë misionarët dhe në shkallën e tretë viktimat.
Ideologët nuk gjendën në Kosovë, as në Shqipëri, as te shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi e as në Luginë të Preshevës. Ideologët janë të padukshëm në njërën anë dhe janë prezent kudo në anën tjetër. Të padukshëm për shkak se askush nuk e di se ku e kanë qendrën dhe për të ditur në hollësi strategjitë e veprimit të tyre, por në anën tjetër janë prezent kudo përmes propagandës për të krijuar kështu bindjen se kemi të bëjmë me një strukturë të organizimit të sofistikuar në shkallë botërore. Dhe s’do mend se ky organizim ekziston si me propagandë, si me mbështetje financiare, si me logjistikë. Por kjo është lehtë e kuptueshme për ata që duan të kuptojnë, siç është lehtë e manipulueshme për ata që nuk e kanë lexuar në jetën e tyre, as edhe një lekturë të vetme shkollore.
Misionarët janë personat që kryejnë misionin e detyrave që kanë marrë nga ideologët. Këta kanë punën më të vështirë, sepse për çdo veprim duhet të sillen sipas mendësive dhe rrethanave që nxjerrë koha dhe momenti. Këta duhet të zhvillojnë propagandën përmes premtimeve, joshjes, për tu futur në brendësi të shpirtit të njerëzve, se rruga e mbijetesës por edhe e jetesës është ideologjia e tyre e predikuar nën maskën e fesë islame. Këta njerëz ofrojnë edhe shërbime në shpërndarje të ndihmave materiale dhe parave, duke premtuar shuma marramendëse të parave dhe duke krijuar kështu perceptimin te kategoria e njerëzve të manipulueshëm se do të pasurohen shpejtë, dhe se me ato para do të bëjnë realizimin e të gjitha ëndrrave të tyre. Në veprim praktik kategoria e njerëzve misionarë, në momente të caktuara ka edhe karakterin e ideologëve. Por që në fakt janë ideologë fiktivë. Luajtja e rolit të ideologut u lejohet nga ideologët realë vetëm si formë e realizimit të qëllimit. Pra vetëm si “argument” për të shtrirë ndikimin e vet të sa më shumë njerëz, dhe për t’u bë të besueshëm, përkatësisht sa më të besueshëm, deri te shkalla e besimit absolut te viktimat e përvetësuara. Këta misionar në fakt jo rrallë përdorin edhe metoda shantazhuese dhe kërcënuese për njerëzit që janë futur nën rrjetin e strukturës së “merimangës së leshnarëve” të quajtur ISIS. Këta misionarë që praktikisht kryejnë rolin e logjistikës, formalisht para viktimave sillen si zotër.
Viktimat janë siç thamë qoftë hallexhi, qoftë ëndërrues të shkëputur jashtë realitetit kohor. Ata futen në këtë lojë të vdekjes së sigurt duke bërë një udhë e dy punë: edhe që të pasurohen, por edhe që të bëhen dikushi. Dikushi me vlerë, që për unin e viktimës, përkatësisht për egon e nivelit të ulët të këtyre viktimave mund të themi se në momente të caktuara, mendojnë se edhe vetë viktimat, janë shndërruar në misionarë, e rrjedhimisht edhe vetë viktimat marrin rolin e sjelljeve të zotëve në shoqëri. Zoti real tek ta është vetëm formal. Zoti real këtyre iu konvenon ta përdorin vetëm si term argumentues për t’i realizuar qëllimet e tyre. Këta njerëz, në momente të caktuara, sa nuk thonë që janë vetë Zoti apo që nuk kanë folur me Zotin dhe kanë marrë bekimin e tij për t’i realizuar synimet e tyre.

Shenjat e iluzioneve imagjinare të viktimave të Merimangës së leshit – ISIS – it

Duke pasur parasysh: nivelin e ulët të shkollimit; nivelin socio – ekonomik; divergjencat mes dëshirës dhe mundësisë për t’i realizuar qëllimet, si dhe etjen për tu dukur dikushi me vlerë në shoqëri, përkatësisht me çdo kusht për të ikur nga sindromi i kompleksit të vlerës së ulët, këta njerëz bëjnë veprime të çuditshme, jo vetëm për rrethin dhe shoqërinë në tërësi, por madje edhe për familjet e tyre. Fillimisht bëjnë veprime që të jenë të ndryshëm nga njëjtësia, përkatësisht uniformiteti fetar dhe etnik. Te këta njerëz uniformitet etnik as nuk ka pasur, e as që mendojnë ta kenë, sepse kultura si dhe etnokultura për ta nuk ka asnjë vlerë. Dhe jo vetëm kaq. Këta njerëz kurrë nuk kanë pasur kulturë kombëtare e as vetëdije kombëtare. Te këta njerëz kombëtarja, nëse ka ekzistuar ndonjëherë, në momente të caktuara ka qenë krejt formale, kështu që këta njerëz sot janë në gjendje ta bëjnë vëlla një arab vetëm se mendon si ata – në formën më të çoroditur të arabizmit, sesa një shqiptar që mendon shqip. Kjo i duhet për ta bërë diferencën në shoqëri, për ta shfaqur ndryshimin dhe përmes kësaj forme për të treguar gjoja superioritetin e kulturës së tij, dijes së tij, burrërisë së tij, njerëzisë së tij. Por këta njerëz duan ta bëjnë diferencën edhe brenda vetë fesë, sepse duan të jenë më të ngriturit, më të diturit, pra duan të jenë dikushi që e shohin vetën mbi masën e shoqërisë në të cilën jetojnë. Por për të mbijetuar, atyre iu duhet mbështetja, iu duhet zgjerimi i rrethit, prandaj bëjnë përpjekje të vazhdueshme përmes të gjitha formave të propagandës, Ta zgjerojnë rrethin. Kjo iu duhet para së gjithash për shkak se nuk e ndjejnë veten të sigurt po të qëndrojnë si të vetmuar në shoqëri. Prandaj synojnë ta zgjerojnë rrethin, duke marrë secili nga viktimat brenda vetës rolin e një zoti para viktimave të reja, duke ju dhënë kështu vetës atributin edhe të misionarit e në momente të caktuara edhe të ideologut, duke u paraqitur para viktimave se këta janë aq të arrirë saqë jo vetëm që kanë folur me ideologun kryesor apo ideologët kryesorë, por madje edhe me vet Zotin.

Rreziku i përhapjes së mortajës së zezë të merimangës së leshit – ISIS

Duke u nisur nga niveli i shkallës së organizimit, veprimet e tyre janë të ndryshme. Kështu në fazat e para të organizimit fillestar, këta paraqiten si engjëj në një gjuhë mashtruese, si njerëz paqedashës, në mënyrë që të bëhen të pranueshëm te opinioni përkatësisht te shtresat e ulëta të zhvillimit shoqëror, si dhe te lakmitarët eventualë të shtresës intelektuale, të cilët kanë defekte qoftë me vetëdijen intelektuale, qoftë me ndërgjegjen njerëzore. Kurse në momentet kur shkalla e zgjerimit të tyre ka arritur deri në përmasat që i konsiderojnë se janë bërë dikushi, edhe format e sjelljeve të tyre në shoqëri janë të ndryshme. Kështu ata sërish vazhdojnë për të gjetur viktimat e reja në gjuhën e mashtrimit, por nëse gjatë këtij rrugëtimi hasin në ndonjë rezistencë individuale, këta i qesin edhe “dhëmbët e kërcënimit”, madje edhe të veprimit praktik duke përdorur dhunë fizike e deri te përdorimi i armëve të ndryshme, qofshin këto armë të ftohta, apo edhe armë zjarri. Në fund kur nuk mund ta qajnë bllokadën dhe ku shohin se pengesat ndaj tyre janë bërë të pa përballueshme, këto krijesa monstruoze, përdorin edhe armët e shkatërrimit në masë, si dinamite, helme etj. As misionarët, as viktimat e as ideologët, nuk qajnë kokën se çfarë shkruan në Kur’an, se çfarë feje është realisht feja islame. Nuk brengosen fare që filozofia esenciale e fesë islame është toleranca, humanizmi, paqja. Këta përdorin dhunë dhe dhunën e arsyetojnë në emër të fesë. Këta keqpërdorues të fesë e kanë kapur Kur’anin në njërën dorë dhe dinamitin në dorën tjetër dhe bërtasin: o do bëhet si themi ne sepse ne jemi vetë Kur’ani, o do e shkatërrojmë botën me këto gjëra që kemi në dorën tjetër – dinamitin. Pra kush është këtu mysliman? Kush është këtu fetar? Sa është fetar? Sa është mysliman?
Elementi i parë i rrugës së devijimit fetar dhe shpirtëror është leshi, përkatësisht mjekrat. Në këtë formë duan ta bëjnë edhe ndryshimin fenotipor, përmes pamjes së jashtme, dallimin përkatësisht ndryshimin nga masa, me shpresën dhe synimin se masa do të bëhet një ditë si ata. Dhe, në këtë rast, leshi individual synon të gjithë që t’i bëjë leshnarë. Pa fije turpi i lëshojnë mjekrat personale, për t’ia lëshuar mjekrën secilës viktimë të mundshme dhe në fund për t’ia lëshuar mjekrën tërë popullit.
Nuk po flasim këtu për mohimin e mjekrës esenciale. Mjekrës që fletë për shkallën e inteligjencës së njeriut në një profil të caktuar: qoftë në letërsi, filozofi, art, kulturë, shkencë, e madje qoftë edhe në fe. Niveli i arritjes intelektuale, i sjelljeve praktike në shoqëri si dhe i arritjeve në lëmin e caktuar, e arsyeton edhe leshin, përkatësisht mjekrën. Në këtë rast mjekra e njeriut të mirëfilltë intelektual, rrezaton pozitivitet, kulturë personale e madje edhe intelektualizëm. Rrezaton dije që si rrjedhojë të imponon respekt. Ky lesh është i rregulluar, kjo mjekër ka formë dhe përmbajte. Kurse leshi i zbrazësisë, përkatësisht i egërsisë, paraqet formën më të vrazhdë të çoroditjes së pamjes njerëzore të individit në shoqëri. Por për mendësinë fiktive – të zbrazët, leshi është pasuri, dije, kulturë, prandaj edhe do të shndërrohet në ideologji, në ideologjinë e leshit të zi, për ta bërë lesh arapi tërë kulturën shqiptare, artin shqiptar, historinë shqiptare dhe detyrimisht esencën e fesë islame.

Orientimi i masës në raport me Merimangën e leshit – ISIS-in

Njerëzit nuk mund të mashtrohen në vazhdimësi sipas planeve ogurzeza të filozofisë së leshit – ISIS-it. Individët e mashtruar që janë futur në këtë ideologji antiislame, antihumane dhe antinjerëzore, kanë shkuar rrugës së pakthim në Siri. Atje e shohin realitetin e zhgënjimit nga parajsa e premtuar, por nuk mund të kthehen më. Nuk mund të kthehen madje as me arkivole, ashtu siç nuk janë kthyer dhe nuk po kthehen. Ashtu siç edhe nuk mund të kthehen as të gjallë, sepse viktimat shqiptare që këtu në momente të caktuara kanë luajtur edhe rolin e misionarëve e madje edhe ideologëve, atje shndërrohen në viktima reale. U premtohen se do të marrin para me dhjetëra mijëra euro në muaj, si rrogë, por pas disa muajsh, në vend të parave të premtuara dhe në mendje të tyre të grumbulluara, ata kur zhgënjehen nga realiteti dhe duan të kthehen në Kosovë përkatësisht në vendlindje, jo vetëm që nuk lejohen ta bëjnë një gjë të tillë, pra të kthehen, por as nuk u jepen paratë. Sapo t’i kërkojnë parat e grumbulluara gjatë disa muajve të shërbimit të tyre në këtë të ashtuquajtur “mision të shenjtë”, te ideologët ky është një sinjal se viktima e ka kryer rolin e misionit të tij të “shërbimit ushtarak” dhe se çdo mbajtje e tij më tej për ideologët paraqet rrezik. Prandaj ideologët vendosin “ta rehatojnë” duke e shpërblyer me 60 cent sa kushton një plumb pas koke. Dhe kësisoj duke e shpallur Shehid, se gjoja ky shehid paska shkuar “për tu takuar me Allahun”. Në ndonjë rast, ku viktima është shumë i zhdërvjelltë dhe arrin të ikë nga kthetrat e “merimangës së leshit”, ata tregojnë krejtësisht të kundërtën e asaj që e kanë predikuar para se të ktheheshin.

Rreziqet nga merimanga e leshit – ISIS për shqiptarët

Padyshim që rreziqet janë të mëdha si për vetë pjesëtarët e leshit, për familjet e tyre, për rrethin si dhe për shoqërinë shqiptare në përgjithësi.
Së pari, këta leshnarë japin pamjen e degjenerikëve modernë të shoqërisë shqiptare.
Së dyti, këta leshnarë, ndikojnë në prishjen e harmonisë fetare mes besimtarëve islam në shoqërinë shqiptare.
Së treti, këta lëshnarë, ndikojnë në krijimin e një klime të pasigurt të paqes dhe lirisë fetare e kombëtare në shoqërinë shqiptare.
Së katërti, këta leshnarë, ndikojnë në krijimin e një imazhi negativ para botës për shoqërinë shqiptare në tërësi dhe në fenë islame te shqiptarët në veçanti.
Së pesti, këta leshnarë, ndikojnë në krijimin dhe konsolidimin e radhëve kundër kombit shqiptar të qarqeve të caktuara, qofshin evropiane apo edhe botërore. Pra misioni i leshnarëve nuk është vetëm antifetar, në këtë rast antiislam, por është edhe antihuman edhe antinjerëzor e si rrjedhojë edhe antikombëtar.

Mesazhi i leshnarëve shqipfolës para botës

Serbia dhe aleatët e saj, së bashku me segmente antiamerikane dhe antishqiptare evropiane, siç janë qarqet ekstreme majtiste dhe djathtiste, janë të interesuara që çdo gjë shqiptare ta paraqesin si johumane, jonjerëzore dhe të dëmshme për civilizimin botëror. Të dëmshme para botës mundohen ta paraqesin edhe përkatësinë fetare islame të shqiptarëve. Për këtë qëllim, Serbia ka krijuar edhe një resor të posaçëm për ta destabilizuar gjendjen në Kosovë, nën maskën e terrorizmit islamik. Kështu, kudo te shqiptarët në Ballkan provon të depërtojë, përmes manipulimeve të ndryshme duke shpërndarë shuma të mëdha parash. Kur kësaj t’i shtohen edhe orekset e shfrenuara të ‘leshnarëve shqipfolës’ si dhe detyrimin për të vepruar individët që kanë pranuar para nga ISIS-i, atëherë është e kuptueshme se paqja, qetësia, stabiliteti në radhë të parë shpirtëror i shqiptarëve, është i rrezikuar nga sindromi i ideologjisë së “maceve të zeza”.
Lufta me Serbinë ka qenë e ndarë me dy fronte. Kurse tash lufta kundër leshnarëve është më e komplikuar, për shkak se kjo ideologji, përmes misionarëve të saj, e ndihmuar nga të gjitha instancat antishqiptare, ka arritur të depërtojë edhe në organizmin shqiptar. Madje në disa raste ka arritur të depërtojë edhe brenda vetë familjes shqiptare. Kjo e bën edhe më të rëndë ballafaqimin me ideologjinë e “maceve të zeza”.
Për këtë gjë, është e nevojshme që shoqëria shqiptare të organizohet në të gjitha format e mundshme, kundër kësaj të keqeje kanceroze që është futur në trungun shqiptar. Këtu rolin kryesor duhet ta ketë shteti, përmes mekanizmave të saj si: Ministria e Punëve të Brendshme, Policia, Gjyqësia, Prokuroria, Ministria e Drejtësisë, por edhe ministritë e tjera si Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e deri tek shoqëria civile. Dhe, jo vetëm kaq. Në këtë drejtim, krahas institucioneve shtetërore që fjalën e vetë duhet ta thonë në të gjitha format e mundshme, si në kulturë, art, shkencë, propagandë, qoftë edhe në implementimin ligjor, në ballë të frontit duhet të jetë edhe Bashkësia Islame në të gjitha nivelet e organizimit të saj në shoqërinë shqiptare. Format e veprimit në këtë rast duhet të jenë të bashkërenditura: aty ku Bashkësia Islame është e kërcënuar në ndonjë komunë apo në ndonjë fshat të caktuar, t’i ndihmojë shteti për ta shëruar Bashkësinë Islame nga sindromi i këtij kanceri.
Dhe anasjelltas: edhe Bashkësia Islame ta ndihmojë shtetin duke e predikuar në mënyrë të denjë fenë islame dhe duke ndihmuar në shqyerjen e maskës së leshit të misionarëve antiislamë dhe antikombëtarë shqipfolës, qofshin këta që janë futur me qëllim në këtë rrugë pa krye, apo edhe nga mungesa e vetëdijes. Rrugë tjetër nuk ka. Rruga tjetër është e dhimbshme. Rruga tjetër është lufta civile mes shqiptarëve, ku populli do të detyrohet të qohet për t’i luftuar leshnarët e “merimangës së zezë” ashtu siç u patë ngritë UÇK –ja për ta luftuar Serbinë dhe njerëzit e saj.
Çdo vonesë e shtetit, pra çdo vonesë e luftës së parë në këtë drejtim, do të krijojë mundësinë e fillimit të luftës së dytë, atë të popullit, ku në këtë rast pasojat do të jenë shumëfish më të mëdha, qofshin në sferën e brendshme, qoftë edhe në sferën e jashtme. Kurse përgjegjësinë do ta bartin institucionet përgjegjëse për të vepruar.

Leave a Reply