Pllajniku përuroi xhaminë e re – Festë e madhe, në prag të Ramazanit


xhamia perurimi pllajnikDragash, 25 qershor 2014 – Në fshatin Pllajnik, i cili ka lartësinë më të lartë mbidetare në trevën e Opojës, në komunën e Dragashit, sot është përuruar xhamia e re dhe moderne, e cila e ka hijeshuar fshatin, në prag të muajit të madhërishëm, Ramazanit. Në këtë solemnitet të bujshëm, të cilin vetëm pllajnikasit dinë ta organizojnë, morën pjesë edhe drejtuesit më të lartë të Bashkësisë Islame të Kosovës, në krye me myftiun Naim Tërnava, si dhe ata të Bashkësisë Islame në Dragash.
Para të pranishmëve, kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, tha se ndërtimi i xhamive “tregon dëshirën dhe përkushtimin e njerëzve për të forcuar besimin ndaj krijuesit tonë”.
Ndërkaq, përfaqësuesi i fshatit, Refki Domuzeti, i njoftoi të pranishmit për gjithë procesin e punës që është bërë në ndërtimin e këtij objekti fetar, i cili u ndërtua në vendin ku dikur ndodhej objekti i vjetër i xhamisë. Imami i fshatit, Hakim Çengaj, duke i falënderuar të gjithë ata që mundësuan ndërtimin e kësaj xhamie, tha se “besimtarët e këtij lokaliteti të vogël, lutjet e tyre tashmë do t’i bëjnë në ambiente komode”.
Punimet në ndërtimin e kësaj xhamie kanë filluar me 12 tetor të vitit të kaluar, ndërsa kostoja e tërë projektit kap shumën e rreth 90 mijë euro, mjete këto që janë siguruar me vetëkontributin e banorëve të këtij lokaliteti, si dhe disa donatorëve nga kjo anë.
Fshati Pllajnik shtrihet në shpatet e Maleve të Sharrit. Banorët e këtij lokaliteti shquhen për bujarinë e tyre dhe mikpritjen tradicionale shqiptare, e cila i karakterizon në Opojë. Përkundër migrimit të madh të banorëve, në këtë fshat ende jetojnë rreth 100 familje. Kohë më parë, këtij fshati iu ndërtua një rrugë e re, e cila ua ka lehtësuar banorëve lidhjen më fshatrat tjera të Opojës. Banorët thonë se ky fshat, tashmë krahasohet me fshatrat e alpeve zvicerane dhe, ia vlen të vizitohet.