Autorruga “Ibrahim Rugova” përurohet përpara afatit!

autostrada ibrahim rugovaPrishtinë, 26 nëntor 2013 – Me një ceremoni solemne, sot është përuruar autorruga “Ibrahim Rugova”, e cila filloi së ndërtuari para tre vjetësh. Ky projekt u vlerësua lart nga udhëheqësit shtetërorë të Kosovës, të cilët thanë se kjo rrugë e lidh Kosovën me BE-në. Kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se me ndërtimin e kësaj rruge po tregojmë se mund të realizojmë edhe projekte të mëdha dhe të rëndësishme. “Vullneti i pamposhtur dhe bashkimi i forcave tona, tregon se jemi të aftë t’i përfundojmë me sukses veprat e mëdha. Vetëm kështu e ndërtojmë një të ardhme të sigurt dhe prosperuese, duke qenë se kjo autostradë është arterie e komunikimit dhe që i bashkon njerëzit, popujt dhe vendet, duke na lidhur me rrugët dhe korridoret më të rëndësishme evropiane, duke e nxitur bashkëpunimin e ndërsjellë, duke i shumëfishuar përfitimet dhe duke ndikuar në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, në këtë shekull të integrimeve, të anëtarësimit tonë në BE. Kjo autostradë moderne, është simbol i përkushtimit tonë, vullnetit dhe suksesit tonë. Është simbol i integritetit tonë. Ta gëzojmë udhën e kombit”, u shpreh Jahjaga. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kjo rrugë i lidh dhe i ofron edhe më shumë Kosovën dhe Shqipërinë. Sipas tij, ky projekt, për breza të tërë ishte një ëndërr. “Secili prej nesh ndihet mirë dhe krenar. Kosova është një vend i bekuar nga Zoti, për natyrën që e ka, për bukurinë e saj por edhe për pozicionin e saj në rajon. Kjo autostradë është vetëm fillimi i zhvillimit tonë. Autostrada lidh Kosovën me Shqipërinë dhe, përmes Adriatikut, edhe me Evropën. Autostrada lidh qytete dhe vendbanime të veriut dhe jugut të Kosovës, drejt përparimit. Kjo autostradë që nis nga Adriatiku, e lidh një komb të vogël por me vlera dhe personalitete të mëdha. Kjo autostradë, e lidh një rajon të tërë”, u shpreh Thaçi.
Gjatë përurimit u prezantua edhe një rrëfim i shkurtër, me pamje gjatë punimeve të këtij projekti, që nga fillimi i tij e deri më sot. Rruga e kombit, siç është emëruar ndër shqiptarët, ka filluar të ndërtohet më 12 prill 2010 dhe, pas 40 muajsh punë, përurohet në prag të festës kombëtare të Flamurit.

Leave a Reply