Edhe 4 vjet, në KKSB të Dragashit mediat do të përfaqësohen nga punëtori i Komunës!


dragash-keshilli-siguriaDragash, 25 qershor 2014 – Në mbledhjen e së mërkurës të Kuvendit komunal të Dragashit, përpos pikave të tjera, është debatuar shumë gjatë për emërimin e anëtarëve që do ta përbëjnë Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB). Delegatët në material kishin, po ata emra që e përbënin këtë Këshill edhe në mandatin e kaluar. Por, fakti që anëtarët e këtij këshilli do të kenë mëditje për mbledhjet që do t’i mbajnë, u bë shkas për shumë polemika, me synim përfshirjen e mundshme në këtë trup të anëtarëve të rinj, edhe pse ky organ nuk ka fuqi vendimmarrëse dhe as ekzekutive.
Polemikat e para u shfaqen kur partia opozitare (LDK), kërkoi që ky këshill të mos jetë partiak, apo të mos jenë vetëm personat nga koalicioni qeverisës. Këshilltari i këtij subjekti, Kapllan Fetahu, kërkoi që të përfshihen edhe anëtarë të LDK-së, aty ku, sipas tij, ka mundësi. “Aty ku nuk precizohet përfshirja e drejtuesve të institucioneve, mund të emërojmë anëtarë nga subjekti jonë”, tha Fetahu.
Polemikat vazhduan edhe për anëtarin, i cili do të përfaqësojë disa subjekte si OJQ-të, mediat lokale, biznesin privat dhe personat me aftësi të kufizuara. Kontestimi i parë për këtë anëtar, ku i propozuar nga kryetari i Komunës ishte Suad Tosuni, i cili është edhe punëtor në administratën komunale, doli nga këshilltari i PDK-së, Granit Rifaj, i cili insistoi që mediat dhe biznesi privat të përfaqësohet nga drejtori i Radio SHARRI-t, Beqir Beqaj. “Mendoj se është më e arsyeshme që në këtë pozicion të emërohet, dikush që vjen nga fusha e medias dhe biznesit”, e arsyetoi Rifaj propozimin e tij, gjë që u mor parasysh nga kryesuesi i Kuvendit, Shaban Shabani, i cili i hodhi në votim veç e veç propozimet, i pari sipas listës që kishte propozuar kryetari Jenuzi dhe i dyti sipas propozimit të këshilltarit Rifaj.
Ndonëse kishte mjaftë polemika mes këshilltarëve nga treva e Gorës, në lidhje me përfaqësimin e komunitetit goran, në votim ata u bënë bashkë, duke e votuar propozimin nga lista, ku figuronte bashkëvendësi i tyre, Suad Tosuni. Diferencimet u bënë tek këshilltarët shqiptarë, të cilët nuk votuan njësoj. Ata iu dhanë vota dy kandidatëve, por që u favorizua kandidati, Suad Tosuni. Pro emërimit të tij ishte edhe këshilltari, Kapllan Fetahu, edhe pse në fillim ishte kundër emërimeve të anëtarëve që vijnë nga koalicioni qeverisës.
Pas votimit, drejtori i Radio SHARRI-t, Beqir Beqaj, u shpreh se nuk i vjen keq që nuk mori votat e mjaftueshme për tu kyçur në këtë këshill, por shprehu keqardhje që, edhe për katër vjet, mediat do të përfaqësohen nga dikush që nuk ka fare të bëjë me këtë fushë dhe që është pjesë e pushtetit. “Nuk ka të drejtë ligjore ky person që t’i përfaqësojë mediat, sidomos kur dihet që ai është pjesë e administratës komunale”, tha Beqaj, i cili përfaqësonte mediat në këtë këshill, në kohën kur anëtarët e tij nuk paguheshin. Beqaj nuk ka hezituar të shfaq edhe habinë e tij, se si rrodhi votimi tek shqiptarët dhe goranët. “Përderisa goranët votuan në baza nacionale dhe lokale, tek shqiptarët u vërejt e kundërta. Për ata nuk kishte rëndësi se çfarë baze nacionale ka kandidati. Madje, në këtë rast nuk kishte rëndësi edhe përkatësia partiake. Thjeshtë, ata votuan në shkallën më të lartë të demokracisë, duke favorizuar vetëm personalitetin e kandidatit. Po të mos kishte kundërshtime paraprake nga disa këshilltarë të LDK-së, të cilët kundërshtuan emërimin e anëtarëve në baza partiake, do të thosha se ata reflektuan demokraci gjatë votimit. Por, kur disa nga këshilltarët kërkuan emërime të reja, jashtë strukturave udhëheqëse, ndërkohë që në votim e përkrahën po atë kandidat, duke refuzuar kandidaturën time, do të thosha se këtu reflektuan hipokrizi”, tha Beqaj.
Ndryshe, anëtari që do t’i përfaqësoj në KKSB mediat, OJQ-të, biznesin privat dhe personat me aftësi të kufizuara, është zgjedhur, Suad Tosuni, punëtor në administratën komunale të Dragashit, i cili edhe në mandatin e kaluar ishte zgjedhur në këtë këshill, pasi kryetari i Komunës, Salim Jenuzi, e kishte propozuar, në vend të drejtorit të Radio SHARR-it, i cili ishte anëtar gjatë kohës kur nuk kishte honorar prej 50 eurove në muaj, e që në total i bie 600 euro në vjet.
Pikërisht ky fakt, u bë shkak që me shumë vështirësi të zgjidhen anëtarët e këtij këshilli. Madje, këshilltarja e AAK-së, Luljete Berisha, kërkoi që të hiqet pagesa për anëtarët e këtij këshilli, pasi kjo po i vë në lajthitje këshilltarët, të cilët po japin dhjetëra propozime për kyçje në këtë organ. “Ne e dimë që nuk është këtu çështja e gjithëpërfshirjes, por është çështja e pagesës ajo që po na shkakton shumë debate. Madje, po të mos ishte ky honorar, do të kishim edhe refuzime për tu kyçur në këtë këshill. Këtë e dëshmon përvoja, kur dikur nuk kishte honorar dhe, shumë rrallë mbaheshin edhe mbledhjet e këtij këshilli”, tha znj. Berisha.