Dragash, 28 prill 2016 – Ndonëse komuniteti pakicë nga Gora e Dragashit nuk e dëshironte shtatoren e Adem Jasharit në Dragash, me shumicë votash u miratua sot në Kuvendin e Komunës vendosja e shtatores së legjendarit, në bazë të një kërkese që ia kishte parashtruar legjislativit të Dragashit, OVL e UÇK-së nga kjo komunë.
Në fillim të mbledhjes së kuvendit, kryesuesi i Komitetit komunal për Komunitete, Velid Haxhisin, përcolli qëndrimin e këtij organi për shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës së veteranëve të UÇK-së, me arsyetim se nuk është koha e duhur. “Si kryesues i Komitetit për Komunitete po ju përcjell qëndrimin nga mbledhja paraprake, rreth pikës së dytë të rendit të ditës, e cila ka të bëj me vendosjen e bustit të Adem Jasharit në Dragash. Qëndrimi i Komitetit ishte që të shtyhet kjo pikë, me arsyetimin se situata politika në komunën tonë nuk është e favorshme për miratim të kësaj kërkese, por assesi nuk ka të bëj me zhvlerësimin e figurës së Adem Jasharit. Kjo, sepse jemi të vetëdijshëm se, falë tij, ne sot e gëzojmë lirinë. Ne nuk mund të jemi kundër kësaj pike, për shkak të veprës së komandantit, por as për këtë kërkesë, për shkak të situatës në komunën tonë. Prandaj, ne nuk do të marrim pjesë në këtë pikë, por do të qëndrojmë në sallë”, tha Haxhisin, duke paralajmëruar dorëheqjen e tij nga kryesimi i Komitetit për Komunitete, si dhe nga pozita e anëtarit.
Menjëherë pas tij, ka reaguar anëtari i PDK-së në këtë komitet, Granit Rifaj, i cili sqaroi se qëndrimi i komitetit nuk ka qenë unanim por në baza nacionale. “Nga nëntë anëtarët e komitetit, pesë prej tyre, të gjithë nga Gora, kanë qenë kundër kësaj pike ndërsa katër anëtarët shqiptarë e kanë përkrah këtë pikë”, duke i ftuar të gjithë që ta votojnë dhe t’i bashkohen festës, siç tha, më madhështores në Dragash.
Mendim të njëjtë shprehu edhe anëtari i LDK-së në këtë komitet, Kapllan Fetahu, i cili tha se në mbledhjen e këtij organi ka ndodhur një gjë shumë e dhimbshme. “Më 26 prill, për herë të parë është kundërshtuar nga minoritetet një vendim, për të cilin nuk është dashur as të mendohej. Kurrë më parë nuk kemi qenë të ndarë, siç ka ndodhur në këtë mbledhje. Ky është shqetësim për mua dhe iu them atyre që të mendojnë pakë më mirë, pasi Adem Jashari nuk ka luftuar vetëm për shqiptarët por edhe për minoritetet”, tha Fetahu, duke kërkuar nga të gjithë delegatët që të mendojnë kthjellshëm sepse, siç tha, për herë të parë na ka ardhur mundësia që ta kemi shtatoren e Adem Jasharit në Dragash. “Shtatorja nuk po vendoset, as për inat të pakicës dhe as për qejf të shumicës”, përfundoi Fetahu fjalimin e tij.
Në fund, me 18 vota për u miratua kërkesa e OVL të UÇK-së për vendosjen e shtatores së Adem Jasharit, si dhe për emërtimin e sheshit, para Radio Sharrit, me emrin e komandantit legjendar të UÇK-së. Gjatë procesit të votimit, mbledhjen e braktisën gjashtë anëtarë të Kuvendit të Dragashit nga Gora (4 – CDU, 1 – GIG dhe 1 – Vakat), për tu rikthyer sërish në shqyrtimin e pikave tjera vijuese që ishin në rend dite për mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës së Dragashit.
Kujtojmë se, përpara mbledhjes së sotme të Kuvendit të Dragashit, komuniteti nga Gora, kryesisht ata që ndodhen jashtë Kosovës, përmes rrjeteve sociale kanë bërë fushatë dhe trysni që kjo pikë e rendit të ditës të kundërshtohet maksimalisht.
Përkundër dëshirës së goranëve, Adem Jashari vjen në Dragash!
POSTIMI PARAPRAKMëkati i qasjes, nga mosdija!
POSTIMI I RADHËSNë Gorë votuan 982 qytetarë – Votimi kaloi qetë!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.