Dragash, 01 dhjetor 2013 – ( Ora 20:40 ) – Simpatizantët e PDK-së, kanë filluar festimet në Dragash, pas publikimit të pjesshëm të rezultateve, sipas të cilave, kandidati i PDK-së mbetet në epërsi, me 60.23% të votave, kundrejt kandidatit të LDK,së, i cili aktualisht është ngritur në përqindje, por që nuk e ka kaluar shifrën e cila do ta kënaqte këtë subjekt me rezultatin.
Ai ka fituar aktualisht 39.77% të votave, të cilat vazhdojnë të numërohen. Pavarësisht kësaj, festa e PDK-së nuk ka të ndalur pasi, ata i kanë të dhënat nga shtabet e tyre zgjedhore dhe i kanë bërë kalkulimet, sipas të cilave, është shumë e vështirë që ky rezultat të përmbyset, në disfavor të tyre.
( Ora 20:15 ) – Mbërrijnë edhe rezultatet e para nga KQZ, në bazë të numërimeve të gjertanishme, proces ky i cili po vazhdon ende. Sipas këtyre rezultateve, kryetari aktual i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, i cili ka garuar nga PDK-ja edhe për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, avancon me 62.29% të votave, kundrejt kandidatit të LDK-së, Fatmir Mehmetit, i cili nga numërimet e gjertanishme, rezulton se ka marrë 37.73% të votave.
( Ora 20:00 ) – Në fshatin Brod të trevës së Gorës, në qendrën e votimit 0502A, raportohet se, Salim Jenuzi (PDK), ka marrë 307 vota, kundrejt Fatmir Mehmetit (LDK), i cili ka marrë 37 vota.
Këto të dhëna nuk janë zyrtare, por shifra që na i sjellin gazetarët tanë nga terreni, të cilët kanë arritur t’i mësojnë nga numërimi në këtë vendvotim.
( Ora 19:45 ) – Deri në orën 19:00, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), në Dragash kanë votuar 11 mijë e 425 qytetarë, nga gjithsejtë 39 mijë e 233 qytetarë me të drejtë vote. Këto rezultate janë publikuar, pas raportimeve nga 53 vendvotime, nga 57 sa janë gjithsejtë. Shikuar në përqindje, në Dragash kanë votuar 30.79% e qytetarëve, e që kjo shifër kontestohet nga secili banor i kësaj komune, pasi kjo shifër nuk korrespondon me numrin e banorëve rezident, i cili rezultoi nga regjistrimi i fundit që u zhvillua në Kosovë.
( Ora 19:25 ) – Sapo ka përfunduar procesi i votimit, ndërkohë që po bëhen përgatitjet për numërimin e rezultateve, të cilat do të publikohen pas dy orësh, por jo si rezultate finale. Për shkak të lehtësisë që ofron procesi i numërimit në balotazh, rezultatet shumë shpejtë do të bëhen publike.
Aktualisht, ne po ju sjellim rezultatet nga zgjedhjet e 3 nëntorit, për dy kandidatët që garuan edhe sot në balotazh. Kohë pas kohe, grafikoni do të ndryshojë, varësisht nga prurjet e rezultateve nga secili vendbanim i komunës së Dragashit.