Përdoreni ujin me karar dhe paguajeni që ta keni

Përdoreni ujin me karar dhe paguajeni që ta keni

Prizren, 05 maj 2020 – Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, në kuadër të së cilës veprojnë edhe Njësitë Operuese në Dragash, Suharekë dhe Malishevë, pas evidentimit të rënies së përqindjes së pagesave, për shkak të pandemisë, iu bën thirrje konsumatorëve që t’i kryejnë obligimet e tyre në mënyrë që të ruhet niveli i shërbimeve nga ana e kompanisë. “Ne si kompani kemi vazhduar aktivitetin tonë punues, pa ndërprerë, me qëllim të furnizimit të rregullt me ujë të pijes tek të gjithë konsumatorët. Gjithashtu, ju njoftojmë se të gjitha arkat për pagesa janë duke punuar sipas orarit të rregullt të punës, në nivel rajonal të kompanisë. Pagesat e faturave mund të bëhen edhe përmes inkasantëve tanë në teren, në mënyrë që t’iu lehtësohet mundësia e pagesës deri sa të stabilizohet gjendja nga masat e ndërmarra kundër pandemisë  COVID 19. Poashtu, pagesat mund t’i bëni edhe përmes sistemit e-banking , duke i transferuar mjetet në llogaritë e shënuara në faturë, përmes bankave, ProCredit, NLB, Banka për Biznes, TEB, Banka Ekonomike, BKT dhe nëpër të gjitha pikat e PTK-së”, thuhet në apelin e kompanisë, duke i porositur konsumatorët që, si përdorues të ujit, të jenë përgjegjës për t’a shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë dhe racionale.