Dragash, 16 mars 2014 – (E plotësuar) Deri në mesditë, procesi i votimit për Parlamentin e Serbisë, në shkollën e fshatit Vraniç, në trevën e Gorës, po vijon pa asnjë problem.
Ajo që kanë parë reporterët nga Radio SHARRI, është pjesëmarrja tejet masive e banorëve në këtë proces, e që asnjëherë më parë nuk ka ndodhur një interesim kaq i madh i goranëve për zgjedhjet e Serbisë. “Merita për këtë pjesëmarrje të lartë, iu takon organeve të përkohshme të Komunës së Gorës”, i ka thënë Radio Sharrit, kryetari i këtyre organeve të qeverisë serbe, Adem Hoxha.
Një zyrtar nga stafi logjistik i OSBE-së, në kushte anonimiteti, i ka thënë Radio SHARRI-t se problem i vetëm në këtë vendvotim është fakti se jo të gjithë banorët e Gorës ndodhen në listat e votuesve. “Interesimi është i lartë, por nuk po mund të votojnë të gjithë, pasi emri i tyre nuk figuron në listat e votimit. Ndërkohë, votimi me kusht nuk lejohet në këtë qendër”, ka thënë ky zyrtar, duke shtuar se banorëve të Gorës iu lejohet votimi edhe me dokumentet e Kosovës.
Misioni i OSBE-së në Kosovë, në vendin tonë ka hapur dhjetë qendra votimi për zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Këto qendra, me 15 degët e tyre, janë hapur në enklavat serbe në Kosovë, si dhe në Gorë të Dragashit, ndonëse në këtë trevë nuk jeton asnjë serb. “Të gjitha qendrat dhe degët e tyre kanë nisur punën në orën 7”, ka konfirmuar zëdhënësi i misionit të OSBE-së, Nikolla Gaon.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, duke komentuar procesin zgjedhor të Serbisë, i cili po zhvillohet edhe në Kosovë, ka thënë se Serbia nuk po i organizon zgjedhjet e saj parlamentare në Kosovë. “Në Kosovë do të grumbullohen votat për zgjedhjet e Serbisë, por nuk do të organizohen këto zgjedhje. Me marrëveshjen e Brukselit, kanë përfunduar ndërhyrjet e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës”, ka thënë Edita Tahiri, duke sqaruar se këtë veprim e garanton Kushtetuta e Kosovës, përmes modeleve që përdoren kudo në botë, kur qytetarët kanë dyshtetësi.
Zgjedhjet e Serbisë po zhvillohen edhe në krahinën e Gorës së Dragashit. Për këtë trevë me popullatë joserbe, është hapur vetëm një qendër e votimit, në fshatin Vraniç, ku edhe është vendosur selia e Komunës paralele të Gorës, e cila vepron nën juridiksionin e Serbisë.
Kreu i organeve të përkohshme të kësaj komune paralele, Adem Hoxha, ka thënë për Radio SHARRI-n se në Vraniç po zhvillohen zgjedhjet serbe dhe se gjithçka po shkon sipas rregullave të parapara me ligj.
“Zgjedhjet po zhvillohen edhe në Gorë dhe gjithçka po shkon mirë. Tani po nisem edhe unë drejtë kësaj qendre votimi, për të parë se si po ecën procesi”, tha Hoxha, i cili njëkohësisht është edhe zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Komunës së Dragashit.
Një ekip i Radio Sharrit ndodhet në këtë fshat, nga ku po e përcjell rrjedhën e këtij procesi, për të cilin nuk është ditur deri në ditën e sotme, nëse do të zhvillohet apo jo. Mësohet se qytetarët goranë do të mund të votojnë deri në orën 20:00, ndërkaq numërimi i votave do të bëhet, sipas marrëveshjes me OSBE-në, në qytetet serbe, Vrajë dhe Rashkë.