Pakti detar me Greqinë – Prokuroria procedon me 11 negociatorët!


pakti-me-greqineTiranë, 20 tetor 2014 – Prokuroria e Tiranës regjistron procedim penal për marrëveshjen e vitit 2009, me të cilën iu  dhuruan Greqisë 354 milje katrorë sipërfaqe detare. Për këtë marrëveshje, pritet të thirren për dëshmi në prokurori 11 anëtarët e grupit negociator. “Dorëzim territori me marrëveshje” e cilëson Prokuroria e Tiranës paktin detar me Greqinë, pas kallëzimit të dorëzuar nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Burime të organit të akuzës bënë me dije se, për regjistrimin e procedimit penal, është marrë parasysh vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, ku thuhet se janë konstatuar shkelje, sa i përket procedurës dhe përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje, duke sjellë cenimin e integritetit territorial të Shqipërisë. Aktualisht, Prokuroria e Tiranës po punon për të grumbulluar të dhënat e nevojshme për individualizimin e përgjegjësive penale mes grupit negociator, të cilët, që në vitin 2009 përgatitën marrëveshjen me Greqinë. Ata pritet të thirren gjatë ditëve në vazhdim, për të dhënë shpjegimet e tyre, lidhur me marrëveshjen. Burime të prokurorisë bëjnë me dije se, mes ekspertëve që do të thirren për tu pyetur, janë specialistët në rolin e negociatorëve.
Padia e dorëzuar nga ministri Bushati përfshin edhe ish-ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, i cili firmosi asokohe marrëveshjen me Greqinë. Por, burimet nga hetimi nuk konfirmojnë një marrje të afërt në pyetje të liderit aktual të opozitës për këtë çështje. Në Kodin Penal, konsumimi i veprës penale të parashikuar nga neni 210, parashikon se marrëveshjet e bëra me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim, tërësisht apo pjesërisht të territorit, me qëllim cenimin e integritetit të vendit, dënohen me burg, nga 5 deri në 10 vjet. Marrëveshja mes Greqisë dhe Shqipërisë u nënshkrua më 26 janar 2010 në Tiranë, nga dy ministrat e Jashtëm të asaj kohe, Dora Bakojanis nga pala greke dhe Lulzim Basha, nga pala shqiptare.