KDI organizoi debat me qytetarët për buxhetin e Dragashit


kdi dragash debatiDragash, 19 shtator 2014 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar sot një takim midis Kuvendit të Komunës së Dragashit dhe qytetarëve, me temën “Përfshirja e qytetarëve dhe grupeve të interesit, në hartimin e buxhetit komunal”, me qëllim prezantimin e draft-buxhetit të Komunës së Dragashit për vitin 2015, i cili është hartuar nga ekzekutivi komunal. KDI ofroi edhe një mundësi për qytetarët që të japin kontributit e tyre në hartimin dhe plotësimin e këtij dokumenti.
Të ftuar në këtë tryezë ishin anëtarët e Kuvendit të Komunës së Dragashit, përfaqësuesit nga ekzekutivi komunal, përfaqësuesit e fshatrave, organizatat e Shoqërisë Civile, si dhe mediat. Që në fillim u falënderua ekzekutivi për miratimin e ndryshimeve, të cilat u kërkuan në debatin e organizuar me qytetarët, nga ana e Komunës, por sërish u dhanë vërejtje në lidhje me kubzimet e shumta që janë paraparë në këtë draft.
Një kërkesë që dominoi në debat, ishte që buxheti të shpërndahej për kokë banori dhe jo në bazë të votave që kanë marrë pushtetarët nëpër vendbanime. Mirëpo, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Shaban Shabani, tha se e kanë menduar këtë formë, por ka rezultuar se do të ketë diskriminim për fshatrat e vogla. “Besojeni se kjo është forma më e mirë e mundshme, sepse shpërndarja bëhet në bazë të nevojave që ka secili vendbanim dhe jo në bazë të numrit të banorëve. Sikur ta aplikonim këtë formë, fshatrat e vogla nuk do të përfitonin investime të mëdha. Sidoqoftë, debatet si ky ju japin mundësi që t’i orientoni investimet, aty ku ju mendoni se është më e nevojshme”, iu tha qytetarëve Shabani.
Përfaqësuesi i KDI-së, Naim Cahani, si organizator i këtij debati, i ka dëgjuar me vëmendje kërkesat dhe propozimet e qytetarëve, më pas iu ka dhënë hapësirë debati këshilltarëve komunalë dhe në fund ka kërkuar nga zyrtari financiar i Komunës që të japë sqarime.
Bazuar në Qarkoren e parë buxhetore, të lëshuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, ekzekutivi komunal obligohet që ta dërgoj buxhetin e draftuar për vitin 2015, si dhe informatat përcjellëse, për shqyrtim dhe aprovim në Kuvendin e Komunës, deri më datën 01 shtator 2014. Si rezultat i kësaj, Kuvendi i Komunës duhet të organizojë edhe takim publik me qytetarët, me qëllim që të japin edhe ata kontributin e tyre në shqyrtimin dhe rishikimin eventual të këtij buxheti.
Të gjitha këto procedura, tashmë i ka kryer ekzekutivi dhe, deri në fund të këtij muaji, pritet seanca e Kuvendit të Komunës, në të cilën do të diskutohet për buxhetin, mbase edhe do të miratohet.