KDI-ja nuk kaloi mirë në Dragash – Shpallet e pasaktë!

tryeza kdi dragashDragash, 17 shtator 2015 – Rangimi i Komunës së Dragashit në fund të listës, për nga transparenca, bashkë me Mamushën, ka ngjallë reagime të ashpra sot, në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), me temën “Transparenca e Komunës së Dragashit”, ku si qëllim ishte prezantimi i “Transparometrit” që kjo organizatë ka përpiluar, siç tha përfaqësuesi i saj, me qëllim të dhënies së kontributit në drejtim të përmirësimit të indikatorëve relevantë në katër shtyllat e vlerësimit, me gjithsejtë 44 indikatorë të përdorur për matjen e transparencës së kuvendeve të Komunave, në periudhën janar-qershor 2015.
Të ftuar në këtë tryezë ishin kryetari i Komunës së Dragashit, kryesuesi i Kuvendit, anëtarë të Kuvendit të Komunës së Dragashit, përfaqësues të ekzekutivit komunal, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat. Anëtari i Kuvendit nga Bashkimi Demokratik (BD), Nexhat Isufi, tha se po dëgjon shpesh të flitet për transparencën, por kurrë nuk e gjeti atë në këtë Komunë. “Më vjen keq që ne si Komunë e vjetër jemi krahasuar me një Komunë të vogël dhe të formuar së fundmi. Duhet të turpërohemi për këtë fakt”, tha Isufi. Në mungesë të kryetarit të Komunës, Salim Jenuzit, arsyetime dha nënkryetari, Selami Sahiti, i cili tha se “nuk mund të mburret me shkallën e transparencës, por ajo nuk është aq keq sa po vlerësohet”. Por, edhe pse në fillim tha se asnjëra nga fushat për të cilat është dhënë vlerësimi, nuk i përketë atij, më i zëshëm në injorimin e vlerësimit të KDI-së për Dragashin doli drejtori i Administratës dhe Personelit, Avni Nebiu, i cili nuk ngurroi ta quaj këtë vlerësim të pasaktë. “Ju i dini qëllimet se përse e keni vlerësuar kaq keq Komunën tonë. Por, unë ju them se nuk keni asnjë bazë të qëndrueshme në këtë vlerësim. Ju fare nuk e keni vizituar ueb-faqen e Komunës, ndërkohë në vlerësim e keni potencuar se mungojnë dokumentet që do të duhej të ishin transparente”, iu drejtua Nebiu përfaqësuesit të KDI-së, Naim Cahanit, duke ia treguar nga telefoni ekzistimin e dokumenteve në faqen e Komunës.
Në këtë veprim të Nebiut ka reaguar, Mervan Zejnullahu, nga organizata CIDD, duke thënë se dokumentet që po i tregon Nebiu janë ngarkuar, dy ditë para se të fillonte ky takim. “Si njohës i kësaj fushe, unë ju them se KDI ka të drejtë në vlerësim sepse, dokumentet që ju po i tregoni, nuk kanë qenë në faqe. Ato janë ngarkuar tani dhe unë kam dëshmi për këtë”, i ka thënë Zejnullahu drejtorit të Administratës komunale, Avni Nebiut, i cili e ka lëshuar mbledhjen.
Anëtari i Kuvendit nga PDK-ja, Granit Rifaj, edhe pse i përket partisë së tij që është në pushtet, ka qenë më kritik ndaj pushtetit. Ai nuk ka hezituar të thotë se raporti i KDI-së, vërtetë duhet kritikuar për pasaktësi sepse, siç tha, nuk i ka përfshirë të gjitha faktet që po ndodhin këtu. “Transparencën e keni vlerësuar shumë pozitivisht, por jo në masë të duhur. Situata është edhe më keq se kaq. Këtu nuk ka fare transparencë, edhe kur kërkohet një gjë e tillë. Kemi kërkuar listën e të punësuarve në institucionet publike, nuk na e japin. Kanë ardhur dokumente nga ministritë, të cilat përmbajnë vërejtje ndaj vendimeve tona, këta i fshehin, sikurse që i fshehin edhe konkurset, për të cilat marrim vesh vetëm pasi ndodhin punësimet”, tha Rifaj.

Leave a Reply