Filloi viti i ri shkollor – Në Dragash nuk ka të dhëna zyrtare!


viti shkollor dragashDragash, 01 shtator 2014 – Në komunën e Dragashit, sikurse edhe në gjithë Kosovën, sot filloi viti i ri shkollor në arsimin fillor dhe atë të mesëm. Në redaksinë tonë nuk ka ardhur asnjë urim nga zyrtarët komunalë të Arsimit, për t’ia transmetuar publikut. Madje, zyrtarët nuk janë parë asgjëkund dhe as në zyrat e tyre, ku gazetari ynë i ka kërkuar për të marrë prononcim, në lidhje me gjendjen e objekteve shkollore, si dhe numrin e nxënësve që ka kjo komunë e skajshme e vendit.
Megjithatë, gjatë vizitave në terren, gazetari ka parë se mësimi kishte filluar në të gjitha shkollat e trevës së Opojës, si dhe në ato shkolla që veprojnë me ligjet e Kosovës, në trevën e Gorës, trevë kjo ku legalisht dhe në objektet publike mësimi zhvillohet edhe me plan-programet e Republikës së Serbisë.
Ndërkaq, në nivelin republikan, zyrtarët e Arsimit kanë thënë se në këtë vit shkollor, rreth 27 mijë nxënës do të ulen për herë të parë në bankat shkollore, kurse numri i përgjithshëm i nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës është 408 mijë e 146 nxënës.
Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ramë Buja, i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e këtij viti shkollor, duke iu dëshiruar suksese dhe mbarësi. Edhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, duke thënë se Qeveria është përpjekur vazhdimisht që t’i përmirësojë kushtet materiale dhe financiare për tu zhvilluar sa më normalisht procesi mësimor. “Duke besuar në traditën e mirë të mësimdhënësve tanë, në moralin dhe misionin e tyre, shprehim besimin e plotë se, edhe në këtë vit shkollor do të shënohen të arritura, me të cilat do të krenohemi si shoqëri e dijes dhe aftësimit të brezit të ri, për të qenë konkurrentë në tregun e dijes dhe përgatitjes profesionale”, ka thënë Thaçi.