Arben, kthema djalin se duhet të shkojë në shkollë!

pranvera abazi zenaNga: Pranvera ABAZI


• Po të drejtohem ty dhe askujt tjetër, me këtë letër të hapur, Arben. Sot është 1 Shtatori, ditë e Hënë, ora 8 e mëngjesit. Këtu, sot është dita e parë e shkollës. E sot, Erioni do të duhej të vazhdonte klasën e 3-të. Të takohej me të gjithë shokët e shoqet që, jam e bindur, se i kanë munguar gjatë gjithë kësaj kohe e i mungojnë edhe sot. Me çantën e mbushur plotë me libra e fletore të reja, sot unë apo edhe ti do të duhej ta dërgonim Erionin në shkollë, duke parë fytyrën e tij të gëzuar dhe plotë hare se do ta takoj shoqërinë e klasës, pas disa muajve të pushimit.
Në cilën shkollë shkon tash Erioni, Arben? Në ndonjë shkollë të improvizuar, shkollë të ndonjë kampi refugjatësh, apo nuk do të shkoj fare në shkollë! Edhe nëse shkon, çka do të mësoj aty? Për luftërat, armët, tanket, si në atë fotografi. Do të mësoj për fenë islame, për Zotin, për Xhihad… Mendon se Erioni do t’i kuptoj të gjitha këto?!
Si është e mundur, Arben, që lojërat dhe fotografitë mbi tanke të jenë më të mira se lojërat dhe fotografitë në shkollë? Si është e mundur, Arben, mësimet për luftëra, tanke dhe xhihad, të jenë më të mira se sa mësimet për kafshët, natyrën, sportin dhe për artin? Çka do të mësojnë shokët dhe shoqet e Erionit në klasën e 3-të? Erioni, në ditën e parë të shkollës, do t’i gëzohej shumë edhe veshmbathjeve të reja që do t’ia blinim.
Në bazë të fotografive, Erioni kishte veshur një bluzë ushtarake! E di Erioni, se kush i vesh bluzat dhe uniformat ushtarake, Arben? Po, po. E di, me zgjuarsinë e tij dhe inteligjencën që ka po, por a do ta arrijë ta kuptojë ndonjëherë? E di se jeta jonë së bashku, ka pasur ditë të mira dhe jo aq të mira. Sidomos nga ajo kohë, kur ti fillove ta praktikosh fenë dhe u përkushtove në fe. E di, se tentimet e tua që të më bindësh të i përkushtohem fesë dhe të mbulohem, ishin të panumërta, me arsyetimin se kjo është e vetmja rrugë drejt zotit. Por, ja që unë nuk munda të dal nga kjo që jam, që t’i dua njerëzit, ta dua familjen, të punoj pa u ndalur, që nga mosha 18 vjeçare, të kujdesëm që mos të bëj keq dhe të besoj në zot. Po Arben, unë besoj në zot. Unë, prapë se prapë, pas gjithë kësaj, nuk hoqa dorë as nga ti. Pas gjithë këtyre, unë prapë të besoja, siç të besova edhe atë ditë kur u nise, kinse për Rugovë me Erionin. Më gënjeve Arben. Me gënjeve, edhe kur më thoshe se “një mysliman nuk ikën nga kjo jetë me borxhe e me kredi”. Më gënjeve Arben, edhe kur më the se nuk do të ikësh për Siri, pa më rehatuar mirë mua dhe Erionin, pa i larë kreditë në bankë, si kredinë tënde ashtu edhe timen. Më mashtrove Arben. Më mashtrove keq. E unë, nga sinqeriteti i madh të besova. Të besova, edhe atëherë kur të thirra, sa ishe larguar me Erionin, dhe më the se nuk ke shumë bateri. Por, nuk do ta besoja dhe mendoja kurrë, se do të marrë një SMS nga ty, për të më njoftuar se, bashkë me Erionin, ke mbërritur në Siri.pranvera erion zena
Për një moment, e tërë bota ishte mbi kokën time dhe, çdo lëvizje, më dukej se do të ishte fatale. Nuk doja ta besoja, duke i thirrur mendjes që të qetësohem, sepse kjo mund të ishte vetëm një shaka nga ti. Një shaka e hidhur, por që rezultoi të ishte e vërtetë.
Nuk mund ta kuptoja, siç nuk po mundet ta kuptoj asnjeri këtu. Po më fajësojnë se unë nuk kam bërë aq sa duhet që ta ndaloj Erionin. Por, si ta ndaloja unë, kur asnjëherë nuk do ta mendoja se një prind mund ta bëjë këtë e aq më pak ti. Ti e doje Erionin, si çdo prind tjetër që e do fëmijën e vet. Asnjëherë nuk do të arrijë ta kuptoj, se përse u desh ta merrje edhe Erionin me vete, në luftë, po pra, në luftë! Athua do të arrijë ta kuptoj një ditë edhe Erioni këtë? Athu do të arrij ai të të fal?
E di se ke folur disa herë muajve të fundit, për të shkuar atje, madje më ke kërkuar që edhe unë të vijë. Më ke folur për jetën e mirë atje, për shtëpinë që do ta kemi, sepse atje do të ishim më afër Zotit. Por, unë tani nuk po e shoh këtë. Po shoh tanke, po shoh fëmijë të leckosur, të palarë, po shoh… Athua po i sheh edhe ti këto Arben?!
Nga 7 Korriku, janë bërë 7 javë pa e parë Erionin! Pa e dëgjuar zërin e tij, të paktën për pakë sekonda! Janë këto plotë 7 javë ankth, Arben. Zgjohem në ankth e “flejë” me ankth. Athua si fle Erioni, Arben? Apo ndoshta ai nuk është fare me ty, se ti je ende në ushtrime ushtarake atje.
Me cilën familje shqiptare ndodhet Erioni atje? Kush është ajo nënë që ma ka zënë vendin këto ditë? A mund ajo të kujdeset më mirë se unë për Erionin, Arben? E pastron dikush Erionin atje? A ka ushqim të mjaftueshëm? A kërkon ndonjëherë Erioni të ma dëgjojë zërin, apo të kthehet tek unë? Është vetëm 8 vjeç Erioni, Arben!
Thonë se tragjeditë janë të vështira, sidomos kur janë fëmijët në pyetje. Por, kjo qenka edhe më e vështirë se një tragjedi!
Arben, tani e dinë të gjithë, siç po e sheh, se Erioni gjendet në luftë, pa dëshirën e tij dhe pa lejen time. Po e sheh se po të fajësojnë për këtë dhe shumë prej tyre, të mllefosur, po i shprehin ndjenjat e tyre me mllef. Assesi s’po arrijnë ta kuptojnë se përse e more edhe djalin?
Arben, kur i dëgjoje hoxhallarët, derisa ishe këtu, për luftën atje, për arsyet se përse duhet shkuar atje, për arsyet se përse duhet me e marrë edhe familjen dhe fëmijët… A i ke pyetur ndonjëherë ata, se ku i kanë fëmijët e tyre? Ku i kanë nipat e mbesat e tyre? Në luftë? Nuk e besoj!
Po Arben, jam gati të bëjë gjithçka për ta kthyer djalin, vetëm më thuaj! Por, nëse vetëm pakë të kujtohen ato ditët tona të mira, nëse vetëm pakë i do të mirën Erionit, që të ketë një të ardhme normale, t’i kthehet shkollës, shoqërisë, gjyshit e gjyshes, familjes së ngushtë e të gjerë, të cilët po jetojnë në ankth, sikurse unë, kthema djalin, Arben!
Po ta përkujtoj se, në traditën tonë, burrëri është edhe pendimi, siç është edhe në fenë islame. Prandaj, bëhu burrë Arben, kthema Erionin!

E përlotur, por asnjëherë e dorëzuar!
Pranvera