Për Serbinë, krijimi i “Shqipërisë së Madhe” tashmë po ndodhë!


shqiperia etnike blicBeograd, 10 tetor 2014 – Serbia dhe Greqia dhe, jo vetëm këto vende, prej vitesh janë të shqetësuara nga ideja e krijimit të Shqipërisë Etnike që ata e quajnë “Shqipëria e Madhe”.
Pas incidentit të ndodhur në Beograd, ku flamuri i Shqipërisë Etnike u valvit mbi stadiumin “Partizani”, frika në këtë shtet është rritur së tepërmi.
Në një shkrim të botuar dje në gazetën serbe “Blic” thuhet se puna për bashkimin e trojeve të banuara me shqiptarë ka shënuar progres. Gazeta bën një analizë të situatës në Ballkan, duke intervistuar historianë, mes tyre një nga Greqia dhe një nga Mali i Zi. “Kjo i referohet Lidhjes së Prizrenit që mbështet unifikimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm”, thotë Spiridon Stefas, ekspert i Historisë së Ballkanit në Universitetin e Selanikut, duke shtuar se ideja e krijimit të Shqipërisë së Madhe nuk është më tabu mes shqiptarëve. “Është fakt se nuk ka më kufij mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe Maqedonisë perëndimore. Që tani e kanë krijuar shqiptarët zonën e përbashkët ekonomike”, thotë Stefas. Megjithëkëtë ai thotë se Greqia nuk është e kërcënuar nga ideja e krijimit të kësaj Shqipërie. “Tani, ata kërkojnë dëmshpërblim. Janë një kërcënim i madh, për shkak të lidhjeve Shqipëri-Turqi”, shprehet Stefas.
Për historianin nga Mali i Zi, Gjorgje Borozan, nuk ka dyshim se projekti për “Shqipërinë e Madhe” po ecën përpara. Ai thotë se pjesë e këtij projekti janë edhe disa troje nga Mali i Zi. Borozan gjithashtu thotë se shtetasit e Shqipërisë aktuale pretendojnë se janë i vetmi shtet në botë që janë të rrethuar nga shqiptarët. “Pjesë e idesë së ‘Shqipërisë së Madhe’ është pjesa perëndimore e Maqedonisë, përfshirë edhe Shkupin”, potencon Borozan. Për këtë, historianja Katerina Todoroska, këshilltare në Institutin e Historisë në Shkup, thotë se kjo ide shërben si kërcënim ndaj Maqedonisë.
Shkrimi në gazetën beogradase “Blic” mbyllet me potencimin se ideja e krijimit të Shqipërisë Etnike paska mbështetje të hershme nga fuqitë e mëdha. “Projekti është frymëzuar nga Perandoria Osmane, Austro-Hungaria dhe më pas nga Italia fashiste dhe Gjermania naziste. Ka dokumente në Uashington  që konfirmojnë se SHBA-të e dinin, që prej vitit 1940, se propaganda italiane po përdorte idenë e Shqipërisë së Madhe kundër Jugosllavisë”, citon gazeta historianin serb, Mile Bjelajac. Ndërkaq, historiani tjetër serb, Dragoljub Zhivojinoviq, shton se ideja e krijimit të Shqipërisë së Madhe është duke shënuar progres, dhe se ajo nuk ka lindur dje. “Shqiptarët kanë mbështetjen e SHBA-ve dhe disa vendeve evropiane, si dhe mbështetje nga vendet myslimane. Nga ana tjetër, Serbia është në pozicion të vështirë, ndërsa Maqedonia është e cenuar”, shprehet Zhivojinoviq.