Dragash, 08 shkurt 2022 – Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës së Dragashit, njëra ndër pikat e rendit të ditës ishte zgjedhja e anëtarëve në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ku deri më tani ishte pjesë edhe Bashkësia Islame e komunës së Dragashit. Por, një letër që kishte marrë kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, ishte kërkuar përfaqësimi i dy Bashkësive Islame që paska në këtë komunë, ajo ekzistuesja dhe një tjetër nga regjioni i Gorës. “Më është kërkuar që në këtë këshill të futet edhe një përfaqësues nga Bashkësia Islame e regjionit të Gorës”, iu tha kuvendarëve Xheladini, duke qartësuar se në Gorë qënka themeluar Bashkësi e veçantë Islame, me bekimin e të parit të BIK-ut në nivel vendi, Naim Tërnava. Dhe, kështu edhe u votua KKSB-ja, me dy përfaqësues të Bashkësive Islame nga kjo komunë, njëra që përfaqëson regjionin e Opojës dhe tjetra regjionin e Gorës.
Kujtojmë se qyteza e Dragashit kishte vetëm një xhami, ku bashkërisht kryenin lutjet e tyre shqiptarë e gorano-boshnjakë. Por, me një donacion nga jashtë, vite më parë Dragashi u bë edhe me një xhami të re, e cila tashmë shfrytëzohet më së shumti nga shqiptarët ndërsa në xhaminë e vjetër dominojnë gorano-boshnjakët. Gjithashtu, deri para pak kohësh, komuna e Dragashit kishte vetëm një Bashkësi Islame, por që sot u bë e ditur se kemi dy të tilla.