Në Bresanë shfaqet koncert multietnik – Publiku mirëpriti secilin artist


vellezerit lecaj bresaneDragash, 08 nëntor 2014 – Në fshatin më të madh të krahinës së Opojës, në Bresanë, të shtunën u mbajt një koncert i pasur multietnik, me këngë e valle nga dy krahinat e komunës së Dragashit, Opoja dhe Gora. Koncertin e organizoi Shoqata Kulturore “Ymer Prizreni”, e cila deri më tani ka zhvilluar një varg aktivitetesh kulturore, si organizmi i orëve letrare në secilin fshat të Opojës, pastaj në Restelicë të Gorës, në qendrën komunale të Dragashit, në fshatrat e Malësisë së Tetovës, Buzovcë dhe Veshallë, si dhe në Bicaj dhe në Malësinë e Vrrinit (Jeshkovë dhe Lybeqevë). Kjo shoqatë ka organizuar edhe tribuna të ndryshme shkencore, kushtuar dëshmorëve të Opojë, masakrave serbe në Opojë dhe Gorë, si dhe ka xhiruar filmin dokumentar për dëshmorët e Opojës dhe ka botuar libra të ndryshëm letrarë e shkencorë.
Këtë vit, përpos manifestimit përkujtimor, me rastin e 15 vjetorit të renies së ushtarit turk, Husein Kutlu, shoqata “Ymer Prizreni” organizoi dy koncerte, me moton “Ruajtja e trashëgimisë kulturore në Opojë dhe Gorë”. Ditë më parë është mbajtur koncerti në fshatin më të madh të Gorës, në Restelicë dhe sot u organizua në fshatin më të madhë të Opojës, në Bresanë.
Kryetari i kësaj shoqate, Bedri Halimi, tha se qëllimi i organizimit të këtyre koncerteve, është përkujtimi i traditës kulturore nga këto treva. “Mos t’i harrojmë gjithë ata këngëtarë që kishte Opoja, por që mbeten vetëm si këngëtarë lokalë, pasi kushtet ishin të atilla dhe nuk arritën të depërtojnë jashtë trevës sonë. Ndërkaq, falë rrethanave ku jetojmë sot, ne kemi këngëtarë që kanë depërtuar jashtë trevës sonë. Por, trashëgiminë kulturore duhet ta ruajmë dhe ta kultivojmë gjithnjë, për t’ua përkujtuar moshave të reja”, tha mes tjerash Halimi.
Në skenën e Shtëpisë së Kulturës në Bresanë, para publikut u shfaq SHKA “Bresana”, e cila mbetët ambasadorja më e mirë e prezantimit të kulturës opojane, jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë saj.
Me një melodi të ekzekutuar me kavall, vëllezërit Nail e Hasan Mushka, dëshmuan se kavalli mbetet një instrument i pëlqyer popullor. Vëllezërit Mushka nga Gora, u shfaqen edhe në këtë koncert me këngën në gjuhën shqipe “Vijnë pampurat”, si dhe me këngët tradicionale që i këndohen kurbetit në krahinën e Gorës. Këngëtari nga Bresana, Masar Sinani, i shoqëruar edhe nga këngëtari i njohur nga Prizreni, Luan Krasniqi, para publikut u paraqit me versionin më të ri të këngës “Vijnë pampurat”, si dhe me këngën tradicionale “Hasan Aga”.
Sikurse në Restecë të Gorës, edhe në Bresanë të Opojës u kënduar nga një nxënës goran kënga “Shqipërinë e dua, se jam shqiptar – Kosovën e dua, se jam kosovar”. Me këtë prezantim u dëshmua se, pavarësisht ndasive politike apo ndikimeve që në Gorë ka Serbia, Opoja dhe Gora vazhdojnë të shquhen, jo vetëm me kulturën e lashtë por edhe me tolerancën njerëzore. Këtë e dëshmoi edhe sot publiku opojan në Bresanë, teksa i duartrokiste të gjitha ekzekutimeve artistike, si ato shqiptare ashtu edhe ato gorane. Në koncert nuk munguan as vëllezrit, Mirhat e Riad Lecaj, emra këta të njohur në tërë hapsirën shqiptare. Kudo që janë paraqitur, ata kanë lënë përshtypje të mira tek dëgjuesit dhe shikuesit, pasi në repertoarin e tyre të gjërë asnjëherë nuk e kanë harruar traditën opojane. Edhe sot, ata e ekzekutuan me shumë ovacion këngën “Guri i zi”.
Ashtu siç filloi ky koncert, ashtu edhe përfundoi, me shfaqjet tradicionale nga SHKA “Bresana”. Organizatori, Bedri Halimi, premtoi se të tilla organizime kulturore do të ketë edhe në të ardhmen.


 

  1. Mërgimtari 13/11/2014, 02:00

    shkelqyeshem

  2. Gjithmon kemi qen dhe prap do te mbesim qender e ketyre manifestimeve respekt per bresanen

Leave a Reply