Milo Gjukanoviq zgjidhet presidenti i Malit të Zi

Milo Gjukanoviq zgjidhet presidenti i Malit të Zi

Podgoricë, 15 prill 2018 – Milo Gjukanoviq i ka fituar zgjedhjet e sotme presidenciale në vendin e tij, ku sipas rezultateve pothuajse përfundimtare, ai ka fituar me rreth 54 për qind të votave.
Qendra për Monitorim dhe Kërkim (CeMi), pas numërimit të 98 për qind të votave, thotë se Gjukanoviq ka fituar me 53.9 përqind të votave. Kandidati tjetër, Mladen Bojaniq, ka fituar 33.4 përqind, Draginja Vuksanoviq 8.1 përqind, Marko Milaçiq 2.9 përqind, Hazbija Kalaç 0.9 përqind dhe Vasilije Miliçkoviq ka fituar 0.5 e Dobrilo Dedeiq 0.4 përqind të votave. Rivali kryesor i Gjulanoviqit, Mladen Bojaniq, i cili ishte kandidat i përbashkët i opozitës, pothuajse e ka pranuar fitoren e Gjukanoviqit në një paraqitje para mediave, duke thënë se nuk do ta urojë Gjukanoviqin për fitore. “Nuk do t’ia uroj fitoren sepse nuk kam për çka t’ia uroj”, tha Bojaniq, duke shtuar se, po të ishte në vendin e Gjukanoviqit, nuk do të ishte i lumtur por do të ndihej i turpëruar për një fitore të tillë.
Ndryshe, në zgjedhjet e sotme presidenciale kanë votuar afro 64 përqind e qytetarëve me të drejtë vote. Gjukanoviq do ta gëzojë këtë post për pesë vjet, ku ka zëvendësuar Filip Vujanoviqin, raporton – RTCG