Mitrovicë, 18 qershor 2014 – Barrikada mbi urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë, e vendosur para tre vjetësh nga strukturat paralele serbe të veriut, është hequr sot, rreth orës 5:00 të mëngjesit. Aksioni për heqjen e kësaj barrikade, e cila ishte vendosur nga të ashtuquajturat “Rojat e urës”, është hequr po nga ata dhe aksioni ka zgjatur rreth katër orë.
Gjatë këtij aksioni, mbi urë janë vërejtur forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe karabinierëve italianë, të cilët nuk lejonin praninë e qytetarëve afër urës. Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se një gjë e tillë ka qenë e pritshme dhe se meritor për këtë është personalisht ai. “Ky është një lajm i mirë për qytetarët e Mitrovicës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Kjo barrikadë po hiqet, pas insistimeve të mija dhe ftesës së përditshme që u bëja serbëve dhe faktorit ndërkombëtarë për të hequr, jo vetëm këtë, por edhe barrikadat tjera, kudo qofshin ato”, ka thënë Bahtiri.
Heqja e barrikadës, e cila prej shumë kohësh e ka ndarë qytetin e Mitrovicës dhe ka penguar lirinë e lëvizjes, u bë nga dy eskavatorë që kanë ardhur nga veriu.