Kushtëzimi në regjistrimin e automjeteve po konsiderohet plaçkë!

Kushtëzimi në regjistrimin e automjeteve po konsiderohet plaçkë!

Prishtinë, 06 prill 2017 – Komunat e Kosovës vazhdojnë të mos e përfillin rekomandimin e Avokatit të Popullit që mos të kushtëzohen pronarët e automjeteve me pagesën e tatimit në pronë, sa herë që i regjistrojnë automjetet e tyre. Kushtëzimi nga ana e komunave, me të cilin qytetarët detyrohen të paguajnë tatimin në pronë, në mënyrë që atyre t’iu lëshohet dëshmia për pagesën e taksës komunale, të nevojshme për regjistrimin e automjetit, është kundërshtuar nga Avokati i Popullit. Por, për institucionet e vendit, dëshmia për pagesën e taksës komunale, shihet si mundësi për të ndikuar në vetëdijesimin e popullatës për pagesën e tatimit. Madje, për këtë vazhdon të jetë në fuqi një shkresë drejtuar Komunave, në vitin 2012, e cila i lejon autoritetet lokale që për interesin publik kanë të drejtë të bëjnë kushtëzime në ofrimin e shërbimeve për qytetarë.
Publikimi i raportit të Avokatit të Popullit, lidhur me kushtëzimin nga Komunat për pagesën e tatimit në pronë, me rastin e regjistrimit të automjeteve, nuk ka zgjuar reagimin e institucioneve që u është drejtuar. Raporti është bazuar në ankesat e pranuara nga Avokati i Popullit, lidhur me këto kushtëzime, të cilat zbatohen nga të gjitha komunat në Kosovë, në pajtim me Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave, i datës 13 korrik 2011.
“Avokati i Popullit ka parasysh se vjelja e tatimit në pronë është jetike për funksionimin e komunave, por që metodat nëpërmjet të cilave kërkohet të paguhen, duhet të jenë të ligjshme dhe proporcionale në pajtim me ligjin”, thuhet në kundërshtimin e Avokatit të Popullit, i cili i ka rekomanduar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) që ta ndryshojë qëndrimin e saj zyrtar, duke nxjerrë një qëndrim të ri, me konstatimin se kushtëzimet për ofrimin e shërbimeve të qytetarëve nga ana e komunave me pagesën e tatimit në pronë nuk kanë bazë ligjore dhe janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe si të tilla nuk mund të aplikohen”, shkruan sot e përditshmja “Zëri”.

Leave a Reply