Prishtinë, 27 janar 2016 – Shkalla e lartë e korrupsionit po pengon avancimin e Kosovës, konstatoi Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), gjatë publikimit të Indeksit të perceptimit të korrupsionit për vitin 2015, të përgatitur nga Transparency International me seli në Berlin. “Sipas Indeksit të perceptimit të korrupsionit, Kosova nuk ka shënuar ndonjë përparim, krahasuar me dy vitet e fundit. Kosova është notuar me 33 pikë, siç ishte notuar edhe vitin e kaluar. Notimi që bëhet në një shkallë, ku 100 pikë do të thotë se ‘perceptohet shumë i pastër’ kurse zero pikë do të thotë ‘perceptohet shumë i korruptuar’dhe përgatitet sipas metodologjisë së Transparency International. Është edhe më shqetësues fakti se Kosova në këtë raport qëndron edhe me keq krahasuar me vendit e rajonit, si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi”, tha Artan Canhasi nga KDI.
Duke shtjelluar rëndësinë që ky raport ka në botë, në konferencën për gazetar u tha se ky indeks bazohet në opinionet e ekspertëve të korrupsionit të sektorit publik. “Notimi i shteteve mund të përmirësohet nga qeverisja e hapur, ku udhëheqësit i japin llogari publikut, gjersa notimi i dobët është shenjë e mitmarrjes së përhapur, mungesës së dënimeve për afera korruptive dhe institucioneve publike, të cilat nuk i përgjigjen nevojave të qytetarëve. Mungesa e kapaciteteve të gjyqësorit, mungesa e llogaridhënies, integritetit dhe transparencës, gati në të gjitha nivelet e pushtetit ekzekutiv, kanë bërë që Kosova të kategorizohet në të njëjtin grup me Moldavinë dhe me keq se të gjitha shtetet e rajonit. Përparimi që është bërë në fushën e prokurimeve të përbashkëta është dëmtuar nga ndërhyrjet në pikat tjera të sistemit, sikurse në Organin Shqyrtues të Prokurimit”, ka shtuar Canhasi, sipas të cilit, renditja e Kosovës do të përmirësohej, nëse zbatimi i ligjit përmirësohet, rritet llogaridhënia dhe integriteti i institucioneve, si dhe nëse do të rritej bashkëpunimi dhe efikasiteti i institucioneve që luftojnë korrupsionin.
Në nivel botëror, Danimarka edhe këtë vit radhitet e para, si shtet ku korrupsioni është minimal, me 91 pikë kurse Koreja Veriore dhe Somalia e ndajnë vendin e fundit, si shtetet më të korruptuara, me vetëm tetë pikë secila.
Kosova, vendi më i korruptuar në rajon!
POSTIMI I RADHËSKriza energjetike – Qytetarët protestojnë me ironi!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.