Dragash, 08 gusht 2018 – Vazhdon të zvarritet ndërtimi i ujësjellësit, i cili dominonte si premtim gjatë fushatës së fundit për kryetar të Dragashit. Kjo, sepse po raportohet që ka shkelje ligjore në tenderin për këtë ujësjellës. Ndërkohë, banorët e Dragashit dhe 14 fshatrave po privohen nga furnizimi me ujë, për shkak të këtyre shkeljeve të vazhdueshme ligjore që janë duke u bërë nga Komuna e Dragashit.
Projekti për shtrimin e rrjetit të ujësjellësit ka nisur për herë të parë në qershor të vitit 2016 dhe ende nuk është finalizuar. Pas disa tentimeve, Komuna kishte vendosur që të anulonte procesin e prokurimit, duke e rishpallur tenderin e ri me disa ndryshime të vogla në projekt. Edhe pas rishpalljes, kanë vazhduar problemet e njëjta me protagonistët e njëjtë, pasi kompanitë ankuese kanë mbetur të njëjta. Gjykata e Tenderëve disa herë ka vendosur për këtë tender, duke e kthyer procesin në rivlerësim.
Në vendimin e fundit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Komuna e Dragashit nuk i ka përfillur obligimet që janë dhënë nga vendimit të OSHP-së. “Paneli shqyrtues sqaron se Komuna e Dragashit, gjatë ri-vlerësimit, përkundër këtij Vendimi dhe Vendimeve tjera të OSHP-së, ka rekomanduar për kontratë operator të njëjtë ekonomik, edhe pse është konstatuar se operatori përkatës nuk i përmbush kërkesat e autoritetit kontraktues, ndërsa vetë Autoriteti Kontraktues, të njëjtin operator ekonomik e ka klasifikuar si të papërgjegjshëm dy herë radhazi”, thuhet mes tjerash në vendimin e fundit të OSHP-së për këtë tender, të cilin e ka publikuar të detajuar – Kallxo.com