Përfundimisht, rruga për në Dragash do të bëhet moderne!

rruga dragash zhurDragash, 07 prill 2014 – Premtimi që bëri në Dragash kryeministri Thaçi, se magjistralja Zhur – Dragash do të zgjerohet, duket se nuk ishte vetëm pjesë e fushatës parazgjedhore të PDK-së.
Realizimi i këtij projekti është futur në binarët e procedurave që kërkohen dhe, kjo komunë do të ketë përfundimisht një rrugë moderne për tu lidhur me botën.
Burimet tona kanë mësuar se tenderi për projektimin e meremetimit të kësaj magjistraleje, ku përfshihet edhe zgjerimi i saj, kanë hyrë në fazën përfundimtare. Më 14 prill do të hapen ofertat, për të zgjedhur kompaninë që do ta projektoj meremetimin e kësaj rruge, si dhe rrugës tjetër, Plavë – Zaplluxhe. Sipas dokumentacionit që ka parë Radio Sharri, në projekt parashihen 34 kilometra rrugë për riparim, prej të cilave 22 kilometra janë në aksin, Zhur – Dragash, ndërsa 12 kilometra të tjerë përfshijnë riparimin e aksit, Plavë – Zaplluxhe.
Disa nga detajet e projektit që kërkohet, është fakti se rruga, nga Zhuri deri në Dragash, do të ketë një korsi shtesë, aty ku mund të realizohet, në tatëpjetat më të theksuara, gjë që mundëson tejkalimin e automjeteve të rënda, pa asnjë rrezik.
Vlen të përmendet fakti se ky aks rrugor, për çdo vjet arnohet, por asnjëherë, që nga përfundimi i luftës, nuk është meremetuar me themel, përkundër faktit se është e vetmja rrugë që lidh këtë komunë me botën, si dhe faktin tjetër se, ngarkesa në këtë rrugë nuk është më si dikur.

Leave a Reply