Prishtinë, 16 nëntor 2021 – Projekti i kineastes nga Kosova, Kaltrina Krasniqi, fiton grantin kryesor për përkrahje zhvillimore të Festivalit të Filmit “Arras”, festival ky që i kushtohet kinemave në Francë dhe më gjerë në Evropë.
Edicioni i 10-të i Festivalit të Filmit “Arras”, i prezantuar nga Charles Tesson, Dennis Ruh dhe Dominique Welinski, shpërndau grante për mbështetje zhvillimore për dy filma artistikë. Granti kryesor (7.500 €) i dhënë nga Festivali i Filmit Arras shkoi për “Bleach”, ku kineastja Krasniqi për personazh kryesor kishte 50-vjeçaren Fatime, një punëtore kjo shtëpiake nga rrethina e Prishtinës, nënë e dy fëmijëve dhe gruaja e Avdiut, shofer kamioni. Fatimja kishte punuar në të kaluarën si pastruese në kompaninë e drejtuar nga Elvira (40), e cila magjeps Fatimen deri në atë pikë sa që e bën të besojë se të dyja janë bërë mikesha. Por, një incident që i zbulon Fatimes jetën private të Elvirës, e njollos aq keq lidhjen e tyre, saqë asnjë sasi zbardhuesi nuk do të mund ta pastronte atë.