Dragash, 17 mars 2014 – Një ditë pas zgjedhjeve serbe që u organizuan edhe në trevën e Gorës së Dragashit, kryetari i kësaj komune, Salim Jenuzi, ka reaguar qetë dhe pa e ndier fare përgjegjësinë për këtë veprim të goranëve. Ai nuk i ka vlerësuar serioze as kritikat që i kanë ardhur nga opozita e Dragashit, për të cilët thotë se nuk po bëjnë reagime të arsyeshme por, thjeshtë sa për tu ndier si opozitë aktive. “Të gjithë e dinë se organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në trevën e Gorës, nuk është përgjegjësi e Komunës. Ky veprim iu takon organeve qendrore të Kosovës, të cilat vendosin, në bashkëpunim me Brukselin, bazuar në procesin e negociatave që po zhvillohen me Serbinë. Ne as nuk mund t’i lejojmë dhe as t’i ndalojmë ato zgjedhje, të cilat janë zhvilluar edhe më parë”, tha Jenuzi për Radio Sharrin, duke shtuar se organizimin e këtij procesi e kishte përsipër OSBE-ja, bazuar në vendimet e Qeverisë së Kosovës, e cila është konsultuar paraprakisht me Brukselin. “I gjithë ky proces është organizuar nga OSBE-ja dhe Komuna nuk ka qenë pjesë e tyre. Prandaj nuk mbajmë asnjë përgjegjësi për këtë veprim. Tjetër gjë është që opozita po merret me to, duke na bërë përgjegjës për diçka që edhe ata e dinë se nuk e kemi në dorë”, tha Jenuzi.
Reagimi i Jenuzit vjen pas deklaratave të djeshme të kryetarit të degës së LDK-së në Dragash, i cili ka thënë se “lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve në komunën e Dragashit, ku nuk ka asnjë serb, ishte i pritshëm, pasi partia në pushtet u lidh me CDU-në, e cila njihej si përkrahëse e Serbisë, ku krerët e këtij subjekti drejtojnë ende Komunën paralele të Gorës”. Ndryshe, procesi i votimit për Parlamentin e Serbisë, në trevën e Gorës është zhvilluar pa asnjë incident. Madje, pjesëmarrja e banorëve nga kjo trevë ka qenë si asnjëherë më parë. “Merita për këtë pjesëmarrje të madhe iu takon organeve të përkohshme të Komunës së Gorës”, ka thënë kryetari i këtyre organeve të qeverisë serbe, Adem Hoxha.
Jenuzi: Zgjedhjet serbe në Gorë, nuk janë përgjegjësi e jona
POSTIMI PARAPRAKArrestime në Prizren, ende pa filluar protesta!
POSTIMI I RADHËSVuçiq fiton zgjedhjet në Serbi – Shqiptarët dy mandate
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.