Dragash, 09 maj 2018 – Në ditën e Evropës, e cila është zyrtarisht festë në Kosovë, e që në këtë ditë vazhdojnë edhe festat tradicionale të goranëve, në fshatin Brod të trevës së Gorës ka qëndruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ku banorëve të kësaj krahine ua ka bërë me dije se nuk ka asgjë kundër formimit të një Komune për ta.
Haradinaj, i cili ishte ftuar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës nga kjo anë, Adem Hoxha, ka biseduar kokë më kokë me banorët e këtij fshati goran, pa praninë e mediave. Pas takimit ai ka thënë se formimi i një Komune për goranët nuk do ta dëmtonte aspak Kosovën dhe as interesat e shqiptarëve. “Krijimi i një komune të re, asaj të Gorës, nuk është humbje për shqiptarët, kudo që janë, në Opojë, Prizren apo diku tjetër, Përkundrazi, kjo komunë iu mundëson këtyre njerëzve të jetojnë dhe t’i kenë mundësitë për jetë. Jam përkrahës i një komune në Gorë që jeta të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Haradinaj, duke shtuar se me Adem Hoxhën kanë biseduar për mënyrën e jetesës, si dhe për temat se çka mund të bëjë qeveria për këtë popullatë.
Nga ana tjetër, deputeti nga radhët e komunitetit goran, Adem Hoxha, i cili u bë i famshëm kur me votën e tij u vendos ratifikimi i demarkimit të kufirit me Malin e Zi, tha për redaksinë tonë se e ka falendëruar kryeministrin për përkrahjen e vazhdueshme, derisa shpjegoi se Dita e Goranëve është festë që simbolizonin bashkimin, harmoninë dhe mirëqenien. “Kjo festë është edhe dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta, për ta ndërtuar shtetin e Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Haradinaj dakordohet për formimin e një Komune në Gorë të Dragashit!
POSTIMI PARAPRAKApostolova vjen sot në Dragash për Ditët e goranëve!
POSTIMI I RADHËSShqipëria kualifikohet në finalen e “Eurovision 2018”