Tiranë, 27 maj 2015 – Falënderoj kryeministrin Vuçiq për vizitën dhe shpreh qysh në fillim bindjen se këto 24 orë që do të qëndrojë në Tiranë, do të jenë për të një shtysë që të rikthehet me kënaqësi në vendin tonë. Uroj po ashtu që mbresat pozitive të vizitës së tij 24 orëshe në Shqipëri, ta nxisin kolegun serb që në kthim të inkurajojë bashkëqytetarët e tij të vizitojnë Shqipërinë, sidomos gjatë verës, ku i siguroj se do të gjejnë vendpushimet, ushqimin dhe mikpritjen më pozitivisht befasuese.
Kryeministri Vuçiq është në Tiranë për një vizitë dypalëshe, ashtu siç ishim dakorduar më parë. Dhe njëkohësisht ai është këtu për të marrë pjesë në takimin e organizuar nga Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me Vienna Economic Forum, në kuadrin e përfundimit të mandatit të presidencës shqiptare të SECP-së.
Për arsye të punimeve që po bëhen në katin e parë të ndërtesës së Kryeministrisë, i cili po transformohet në një mjedis që së shpejti do të jetë i hapur për publikun, ne u detyruam ta organizojmë në këtë pallat ceremonialin e pritjes së kolegut serb. Kryeministri Vuçiq, është i pari vizitor i këtij rangu nga Beogradi që mikpritet në Tiranë me të gjitha nderimet protokollare, dhe kështu sot, në harkun e vetëm gjashtë muajve, ne kryem këmbimin e parë të vizitave në rang kryeministrash mes Tiranës e Beogradit pas një kohe të stërgjatë akulli mes dy shteteve tona.
Për ne, ky fakt është shenjë e padyshimtë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për të sjellë dy kombet tona më pranë njëri-tjetrit, pavarësisht se jemi ende larg së qeni dakord për gjithçka. Por ky fakt është edhe shenjë e vetëdijes dhe e bindjes së përbashkët se sot, shqiptarët e serbët, kanë një mundësi historike që ta kthejnë paqen e meziarritur në rajon në një paqe që ia vlen të jetohet. Unë besoj se ne, shqiptarët dhe serbët, kemi sot mundësinë të bëjmë për të mirën e njëri-tjetrit dhe të rajonit tonë, atë që francezët e gjermanët bënë për vetveten e për Evropën pas Luftës së Dytë Botërore.
Vullneti ynë, i qeverisë shqiptare, është i palëkundur në mbështetje të synimit tonë të shpallur për të çuar përpara agjendën e një rajoni pa kufij, ku mes shqiptarëve, serbëve e të tjerëve të bien barrierat e trashëguara prej vitesh; që nga barrierat historike, tek barrierat ekonomike, tregtare, shoqërore e kulturore, të gjitha barrierat që na kanë penguar deri më sot të projektojmë së bashku të ardhmen. Për ta projektuar të ardhmen jo thjesht politikisht, si një destinacion të përbashkët në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, por konkretisht, përmes hartimit bashkërisht dhe mbështetjes së përbashkët të projekteve në infrastrukturë, energji, turizëm, arsim, kulturë…
Ne jemi shumë të vegjël për të mos u bërë bashkë në përpjekjen për të rritur ekonominë tonë dhe shumëfishuar energjinë pozitive që kaq shumë i duhet popujve tanë, në këtë kohë mundësish të mëdha e, njëkohësisht, sfidash të rënda për secilin prej nesh, ashtu si edhe për të gjithë ne së bashku. Kam bindjen se suksesi ynë i përbashkët është e vetmja rrugë për të mbërritur suksesin që duam për kombet e vendet tona, në këtë rajon ku jetojmë kaq të ndërlidhur në fatet tona.
Fatet e vendeve të Ballkanit janë kaq të ndërvarura sa është e pamundur të imagjinohet që njëri mund të shkojë shumë përpara, teksa tjetri mbetet mbrapa apo ndërkohë që një i tretë ngec në rrugë, për një arsye a një tjetër, e cila në një mënyrë a një tjetër lidhet me njërin ose me tjetrin apo me të dy bashkë.
Sepse ne të gjithë jetojmë me një pjesë të tjetrit edhe kur me tjetrin jemi të ndarë. E kjo duhet të na motivojë të gjithëve që drejtimin e duhur për veten ta shohim të pandarë nga drejtimi i duhur për tjetrin. Dhe duke ecur veç e veç në drejtimin e duhur të integrimit të vendeve tona në Evropën e Bashkuar, të bëjmë me tjetrin dhe për tjetrin, as më shumë e as më pak se sa çfarë pretendojmë që tjetri të bëjë me ne dhe për ne. Kurajoja që Franca dhe Gjermania patën për të ecur së bashku pas Luftës së Dytë Botërore, duke kapërcyer lumenj të tërë gjaku që rridhnin prej shtresave të historisë së një dasie të egër, duhet të na frymëzojnë për ta kthyer këtë kohë të panjohur paqeje mes nesh, në fazën historike të ndërtimit të themeleve të një bashkëjetese të qëndrueshme, në paqe e harmoni ndëretnike, ndërfetare e ndërshtetërore.
Historia e ndasisë mes shqiptarëve e serbëve është e atillë që e bën sot sfidën e paqes së qëndrueshme mes nesh, një përgjegjësi të përbashkët edhe ndaj fatit të së nesërmes së rajonit si i tërë. Fakti që edhe një top futbolli rrezikoi të na rrokulliste në pikën zero, gjashtë muaj më parë, ishte mjaft domethënës për brishtësinë e kësaj kohe të re paqeje dhe për peshën e rëndë të sfidës që përbën kthimi i saj në një fazë të re bashkëjetese e bashkëveprimi mes nesh. Por e vërteta se aty ku ka një vullnet të përbashkët ka me patjetër edhe një rrugë të përbashkët, është një e vërtetë që vlen edhe për ne, shqiptarët e serbët, pavarësisht se ka ende mes nesh një mosdakordësi sa një mal lidhur me çështjen e Kosovës.
Sidoqoftë, kjo mosdakordësi nuk e zbeh aspak vlerën e madhe të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, që për ne është prologu kurajoz i çeljes së një kapitulli të ri, jo vetëm në marrëdhëniet mes shqiptarëve e serbëve, po edhe në historinë e rajonit. Sepse, pa hapjen e dialogut mes Serbisë e Kosovës, procesi i çelur në Berlin për bashkëpunimin rajonal në rrugën e integrimit evropian, nën lidershipin e kancelares Merkel e të Gjermanisë mike, nuk do të kishte qenë dot i mundur. Ashtu siç nuk do të kishte qenë e mundur që ne, Shqipëria e Serbia sot, të kishim hyrë në rrugën e bashkëpunimit konkret për të realizuar projekte të përbashkëta për rrjetet e integruara infrastrukturore dhe energjetike, apo, jo më pak e rëndësishme, për bashkëpunimin rinor nën shembullin frymëzues të Francës e të Gjermanisë së pasluftës. Kam kënaqësinë sot të rikonfirmoj vullnetin e plotë të palës serbe dhe kryeministrit Vuçiq, për të jetësuar plotësisht marrëveshjen për njohjen reciproke të diplomave të të rinjve, çka e dakordësuam në parim në takimin e shkuar në Beograd e unë pata rastin t’ia përcjell që të nesërmen, shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ata presin më shumë nga qeveria e Serbisë dhe kryeministri Vuçiq në këmbim të vullnetit të tyre për të respektuar plotësisht shtetin e institucionet e Serbisë, ashtu sikundër ne këtu në Shqipëri presim që shqiptarëve të jugut të Serbisë, tu rezervohet po ai trajtim dinjitoz që u rezervohet serbëve të veriut të Kosovës.
Dialogu Serbi – Kosovë, të cilin Shqipëria e mbështet qysh në krye të herës duke përshëndetur kurajon e vullnetin për të ecur përpara të lidershipit të të dyja palëve, duhet të përparojë paralelisht me zbatimin e marrëveshjeve të dakordësuara, sepse nuk është në interesin e askujt që ai dialog jetik për ardhmërinë e rajonit të mbetet një histori evropiane suksesi në letër.
Prandaj, jetësimi i përfshirjes së plotë të Kosovës në iniciativat dhe organizatat rajonale e ndërkombëtare, sipas parimit të gjithëpërfshirjes dhe në përputhje me angazhimet e ndërmarra nga të dy palët për të mos e penguar këtë proces është një domosdoshmëri, jo thjesht për produktivitetin e dialogut po për forcimin aq shumë të nevojshëm të besimit reciprok, të qëndrueshmërisë së paqes ende të brishtë e të urave ende të dobëta të bashkëpunimit në rajon.
Ngjarja tragjike në Kumanovë vërtetoi edhe një herë brishtësinë e kësaj paqeje kaq shumë e për kaq gjatë të ëndërruar në Ballkan e për Ballkanin. E ky është rasti për të ritheksuar se Shqipëria e sheh si interes të padiskutueshëm të sajin e të shqiptarëve në Maqedoni dhe po njësoj, të të gjithë rajonit e të vetë Evropës, integritetin territorial e funksionimin demokratik të Maqedonisë. Qoftë ideja e cenimit të integritetit të shtetit maqedonas, qoftë mosfunksionimi i demokracisë në Maqedoni, janë të papranueshme për ne.
Ne duam një Maqedoni të qëndrueshme, demokratike dhe pa diskutim, një Maqedoni ku Marrëveshja e Ohrit të respektohet në frymw e në germë, për të siguruar bashkëjetesën e dëshiruar nga të gjithë mes shqiptarëve e maqedonasve si dy faktorë të patjetërsueshëm shtetformues për Maqedoninë. Ne jemi vendosmërisht kundër çdo forme të shfaqjes së ksenofobisë e të ndasisë ndëretnike dhe dua të theksoj fort se të gjitha vendet, në rajon e përtej, duhet të distancohen nga thirrjet e qëndrimet që nxisin shfaqje të tilla në hapësirën maqedonase e ballkanike. Këto shfaqje i takojnë një Ballkani që për ne i përket të shkuarës dhe thirrje të kësaj natyre nuk kanë asgjë të përbashkët me vizionin, misionin e përpjekjen tonë sot për Ballkanin e të nesërmes.
Ne e dimë fort mirë që paqja mes nesh buron nga ëndrra evropiane e secilit prej popujve tanë dhe popujt tanë e dinë fort mirë se, sado e luhatur të duket sot Evropa përballë sfidave e kërcënimeve me të cilat përballet, nga jashtë e nga brenda saj po ashtu, Bashkimi Evropian është e vetmja hapësirë ku liritë e të drejtat e tyre njerëzore mund të jenë përfundimisht të shpëtuara nga kërcënimet antidemokratike, nga brenda e nga jashtë nesh po ashtu.
Prandaj e sotmja e Ballkanit është Evropa, e nesërmja e Ballkanit është Bashkimi Evropian, dhe për të gjithë ne ka veç një rrugë të mundshme. Kjo është rruga e bashkimit të fuqive tona për t’i rilindur vendet tona e krejt rajonin përmes jetësimit të ëndrrës evropiane të popujve tanë, duke punuar me përkushtim e durim me njëri – tjetrin dhe për njëri – tjetrin, duke forcuar demokracinë në vendet tona dhe ndërveprimin mes nesh për demokratizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike e ndërfetare, duke u bërë bashkë për tu mbrojtur nga çdo lloj kërcënimi gjeopolitik që shfaqet nga palë të treta jashtë Evropës dhe, po njësoj, nga çdo lloj kërcënimi terrorist dhe ekstremist. Këto kërcënime të ndryshme në origjinë e metodë, po të ngjashme në synimin për të nxitur tensione e konflikte në një rajon që sapo ka kthyer sytë nga e ardhmja, pasi ka dalë nga një histori e pafundme tensionesh e konfliktesh, janë të patolerueshme.
Nëse për marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Francës me të drejtë thuhet sot se janë boshti i qëndrueshmërisë së BE-së, nuk do të ishte kurrsesi mungesë modestie që shqiptarët e serbët në suazat e Ballkanit, të synojnë t’i kthejnë marrëdhëniet mes tyre në një dëshmi të ngjashme të faktit se nga një histori e përgjakshme luftërash, mund të lindë shembulli i një suksesi të përbashkët paqeje.
Kjo është sidoqoftë koha që shqiptarët dhe serbët të tregojnë përfundimisht se jo vetëm fqinjësia e mirë, por edhe ndërveprimi aktiv në interes të përbashkët mes fqinjëve, janë jo vetëm themeli i paqes po edhe fuqia e vërtetë e përfshirjes së plotë të vendeve e të rajonit tonë në historinë e përbashkët të zhvillimit ekonomik e social të Evropës së Bashkuar. Unë e shoh këtë vizitë dhe kryerjen e këtij këmbimi të parë vizitash në nivelin më të lartë, si shenjë të ndërlidhjes me këto aspirata.
Ndaj, i mbetem edhe njëherë falënderues Kryeministrit Vuçiq për vizitën në Tiranë, dhe duke i kaluar përzemërsisht fjalën, uroj intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe kthimin e marrëdhënies mes shqiptarëve e serbëve në një shenjë të fortë dalluese të kohës së re në Ballkan.
Fjalimi i kryeministrit Rama, në pritjen për kryeministrin serb!
POSTIMI PARAPRAKPerformansa e anëtarëve të KK Dragash (Dokument)
POSTIMI I RADHËSMira Janji sjell hitin e radhës veror, në anglisht (Video)
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.