Fatir Berzati – Personi që trazoi shumë pluhur në Dragash!

Fatir Berzati – Personi që trazoi shumë pluhur në Dragash!

Dragash, 27 gusht 2022 – Sot prezantohet si aktivist i komuniteti goran, më herët merrej me politikë dhe kishte arritur deri tek posti i zv-kryeministërit, shumë më herët si aktivist joqeveritar, e që shumë pak e dinin se cili ishte aktiviteti i tij. Ky është Fatir Berzati, i cili me deklaratën e fundit të tij se “në Dragash funksionon një zyrë ruse, e cila vepron si organizatë humanitare që shpërndan ndihma pas orës 18:00”, ka ngritur pluhur në Dragash dhe jo vetëm. Berzati, në emisionin ‘Frontal’ në T7 tha se emri i zyrës është në gjuhën ruse dhe, sipas tij, puna e tyre pas orës 18:00 në mbrëmje është e dyshimtë. “Në Dragash ka edhe organizatë ruse që funksionon si humanitare por ende nuk e kemi konfirmuar. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë reaksion nga zyrtarët”, ka thënë mes tjerash Berzati.

Lidhur me deklaratat e tij ka reaguar edhe kreu i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, duke thënë se asgjë e vërtetë nuk qëndron në këto deklarata. “Organet kompetente janë në dijeni për deklaratën e këtij personi. Aktualisht jemi çdo ditë në trevën e Gorës, ku po organizojmë takime me banorët e secilit lokalitet. Gjatë takimeve me qytetarët e regjionit të Gorës, nuk kemi vërejtur asgjë nga dyshimet e tilla dhe as nuk na ka informuar dikush nga qytetarët e kësaj treve. Gjithsesi, organet kompetente janë ato të cilat do ta sqarojnë deklaratën e Fatir Berzatit”, ka thënë Xheladini.

Redaksia jonë ka kontaktuar edhe me Adem Hoxhën, deputetin e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti goran. Si përfaqësues më i lartë politik nga radhët e këtij komuniteti, ai është habitur nga këto deklarata, duke shtuar se organet kompetente nuk duhet të heshtin ndaj tyre. “Është deklaratë skandaloze që u lansua në publikun e gjerë dhe, nuk duhet ta marrim për shaka. Organet kompetente duhet të merren me këto deklarata dhe, po qe se rezultojnë të sakta, unë personalisht jam i gatshëm të jap përgjegjësi, si përfaqësues legjitim i këtij komuniteti. Por, nëse rezulton se nuk ka agjë nga këto supozime, personi në fjalë duhet të jap përgjegjësi. Organet kompetente duhet ta mësojnë të vërtetën se përse u bë kjo deklaratë, nga kush u nxit ky person që ta lansojë dhe për çfarë qëllimesh”, tha Hoxha.

Edhe këshilltari  nga komuniteti goran në Kuvendin e Komunës së Dragashit, Nexhmidin Sejdillar, ka reaguar ndaj deklaratave të Fatir Berzatit. Ai i është drejtuar televizionit T7, me kërkesën që t’i kërkojë falje komunitetit të tij, pasi, sipas tij, me lansimin e të tillave deklarata, komunitetit goran i është cenuar liria e lëvizjes në viset tjera të Kosovës. “Trillimet e të ashtuquajturit aktivist goran, i cili është i vetëshpallur, duke pretenduar se në Gorë ka zyrë ruse që gjoja punonë në ‘errësirë’ pas orës 18:00, janë të pavërteta dhe qëllimkëqia. Deri më tani kam pasur një opinion shumë pozitiv dhe të lartë për televizionin tuaj. Por, që kur i lexova këto marrëzi, tani mendimi im për ju është shumë më i varfër. Është e paimagjinueshme që të sillni në emision dikë që do t’ju rrisë në mënyrë të papërshtatshme vlerësimet, me trillimet e tia, pa menduar se me këto gënjeshtra po e cenoni lirinë e lëvizjes së një komuniteti që është kategori kushtetuese në Kosovë. Është e papranueshme që ju etiketoni një komunitet, për hir të shikueshmërisë, dhe promovoni gjuhën e urrejtjes përmes transmetimit të deklaratave të mjegullta, të rreme dhe të turpshme me tituj pompozë. Sot, kompania juaj mediatike cenoi me vetëdije lirinë e lëvizjes së një komuniteti dhe kështu kërcënoi sigurinë e tij. Ky është një skandal që mashtroi mbarë opinionin kosovar dhe më gjerë. Dua të theksoj se, pas të pavërtetave të tilla të turpshme, asnjë goran nuk mund të thotë lirisht se është goran në Prishtinë, Pejë, Fushë Kosovë dhe në qytete të tjera të Kosovës, pa u shqetësuar për sigurinë e tij. Pres që ju, si televizion serioz, t’i kërkoni urgjentisht falje popullit tim, gjegjësisht gjithë komunitetit goran, si dhe t’i shpjegoni gjithë publikut kosovar se ishte një trill i thjeshtë i një individi që nuk ka absolutisht asnjë peshë publike”, thuhet në reagimin e Sejdillarit, këshilltar në Kuvendin e Komunës së Dragashit nga partia gorane, Lëvizja për Gorën.