Exploring: “Që ta dëgjojmë cicërimën në pranverë” (Video)

exploring ojq aksioniDragash, 05 janar 2015 – Mëngjesin e hershëm të së dielës, një grup prej rreth 20 djelmoshash morën rrugën drejt maleve të Dragashit, në afërsi të fshatin Shajne. Qëllimi i këtij rrugëtimi nëpër një mot tejet të ftohtë dimëror, ishte shpërndarja e ushqimit për shpezët e egra, për të cilat, të rinjtë e organizuar nga OJQ “Exploring” nga Prizreni thanë se janë të rrezikuara nga mungesa e ushqimit në këtë dimër të ashpër. “Rrugëtimi nuk ishe pa probleme, sidomos kur na u prish automjeti. Por, ne nuk ndaluam drejt synimit tonë për t’i ushqyer zogjtë e kësaj ane, në mënyrë që ata sonte të flenë barkmbushur”, thotë për Radio SHARRI-n, Xhemajli Selimi, duke shtuar se kjo ide i kishte ngacmuar që moti zemrat e tyre, pas kushteve atmosferike që po mbretëronin këto ditë, me borë dhe temperatura tejet të ulëta. “Edhe pse koha këtë mëngjes mbretëronte me diell, teksa po ngjiteshim maleve, për pak minuta filloi një furtunë e paparashikuar, duke e zënë ekipin tonë në befasi e që i lëkundi zemrat e disa prej tyre, duke propozuar se mos duhej të ktheheshim në ndonjë kafene për ta pritur qetësimin e motit. Por jo, i mblodhëm forcat dhe guximin nga thellësia e shpirtit për t’mos u dorëzuar. Premtimin që i kemi dhënë vetes duhej ta realizonim, edhe pse u lagëm deri në palcë. Por, pasi i tejkaluam ato situata të vështira atmosferike, gjetëm qetësinë dhe pushimin në shtëpinë malore të Shajnes, ku na mirëpriten vendasit. Aty u ngrohem shpirtërisht dhe fizikisht”, thotë Selimi, duke përfunduar me fjalët se “kush mëshiron ata që janë nën qiell, e mëshiron Ai mbi qiell”.

Kliko këtu për VIDEO

Leave a Reply