Prokuroria Speciale e Kosovës bastis dy OJQ nga Prizreni!

policia bastisje ojqPrizren, 24 qershor 2015 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, sot kanë bastisur pesë organizata joqeveritare, dy prej të cilave në Prizren.
Saktësisht, Mësohet se janë bastisur OJQ-të “Kurani” dhe “Ehli Bejti”, nën dyshimet se këto organizata kanë kryer veprën penale; “Shpëlarja e parave”, e cila ndëshkohet me nenin 308 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e që ndërlidhet me nenin 24 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Parandalimin e Financimit të Terrorizmit. “Aksioni i sotëm është njëri nga veprimet e ndërmarra në një rast, i cili është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të terrorizmit në Republikën e Kosovës”, ka njoftuar përmes një komunikate për media, zëdhënësja e Prokurorit të Shtetit, Liridonë Kozmaqi – Hajdaraj.
Mësohet se gjatë bastisjes janë sekuestruar përkohësisht gjësende që mund të shërbejnë si prova gjatë procedurës hetimore. Përpos këtyre organizatave prizrenase, janë bastisur edhe tri OJQ nga Prishtina, saktësisht “Nisa”, “Bregu i Diellit” dhe “Ibni Sina”.

Leave a Reply